Lajme

Gazetari gjerman: Pse s’po kërcënohen me sanksione Vuçiç e Dodik, po Kurti?


Gazetari i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens

Gazetari i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, përmes një cicërime në Twitter, është shprehur i befasuar me paralajmërimin e Bashkimit Evropian për sanksione ndaj Kosovës për mos deeskalim të situatës në Veri.

“Për situatën aktuale në Ballkan, BE-ja po kërcënon me sanksione ndaj qeverisë Kurti në Kosovë, por jo ndaj liderëve serbë Vuçiç dhe Dodik. Kjo është absurde, thënë më së buti. Por duket se ka një shpjegim për butësinë perëndimore ndaj Beogradit”, shkroi ai.

 

Ai ka theksuar se Kosova nuk i ka përmbushur obligimet e saj nga bisedimet e ndërmjetësuara nga Brukseli, derisa ka shtuar se “për disa arsye Lajçak nuk duket se shqetësohet nga lëshimet e Serbisë”.

“Për sa i përket reciprocitetit, mund të shihen më nga afër edhe shqiptarët në Serbinë jugperëndimore dhe myslimanët në Sanxhak. Po një Asociacioni të Komunave me Shumicë Shqiptare në Preshevë apo myslimane në Sanxhak, duke pasqyruar planet për asociacionin serb në Kosovë”, ka potencuar gazetari gjerman.

Ndryshe, një varg sanksionesh tepër serioze janë pregatitur tashmë nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri i vendit Albin Kurti për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka ndarë me shtetet anëtare një pjesë të “skicës” për disa nga “masat shtrënguese” të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapat e nevojshëm për uljen e tensioneve në veri.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën kishte folur për listën e masave kundër Kosovës që ishin prezantuar nga Komisioni Evropian para Parlamentit Evropian.

Kurti për listën e masave të paralajmëruara kundër Kosovës: Me raste kemi qenë kritikë ndaj BE-së, por asnjëherë cinikë e të hidhëruar

Kurti, para ministrave deklaroi se, “me raste kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Evropian”, por sipas tij asnjëherë nuk janë treguar “as cinikë e as të hidhëruar”.

“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate.

Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, masat e paralajmëruar nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës i ka quajtur “të panevojshme” dhe “mesazh i rrezikshëm”.

“Masat që janë ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve të Bashkimit Evropian për deeskalim të gjendjes në veri të Kosovës, janë masa të cilat BE i sheh si të arsyeshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore