Lajme

Gati përleshen fizikisht deputetët e LDK-së me ata të LVV-së


Momenti i përplasjes

Në kohën sa po zhvillohej seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohej numri i madh i kontratave njëburimore të nënshkruara nga Qeveria aktuale e Kosovës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, kanë pasur një përplasje verbale mes vete.

Përplasja mes tyre ka ardhur si pasojë e akuzave të deputetit të LVV-së kundrejt deputetes Bajrami.

Thaçi i LVV-së, i ka përmendur disa kontrata një burimore që sipas tij i ka nënshkruar deputetja Bajrami sa ishte ministre e Financave.

E, Bajrami ka mohuar se ka nënshkruar ndonjë tender sa ka qenë në ministri.

Ndërsa, deputetin e VV-së e ka quajtur “hajn, rrenc”.

“Zotëri Thaçi mos e shfrytëzo këtë kuvend për të gënjyer sepse të gjitha që i the janë gënjeshtra. Asnjë tender nuk është në shkruar më 2014, më 2015 është një tender 2 mijë e 100 euro unë nuk e kam nënshkruar”, është arsyetuar Bajrami.

Pas fjalimit Bajrami i është afruar në ulësen e deputetit Thaçi me indinjatë.

Përveç Bajramit, edhe deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku i është drejtuar deputetit të pushtetit me indinjatë.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje – partia në pushtet – të enjten, ka lëshuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet rezoluta e Lidhjes Demokratike e Kosovës për numrin e lartë të kontratave njëburimore të nënshkruara nga Qeveria aktuale e Kosovës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka arsyetuar braktisjen e seancën në fjalë, meqë sipas saj deputetët e pushtetit janë fyer pas deklaratave të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami e cila e cilësoi Qeverinë si të korruptuar, frikacak dhe shpifës.

“Nëse jemi të gjitha këto, sipas deklarimit të saj, atëherë ky institucion nuk është vend, dihet vendi ku duhen të dërgohen faktet për hajni. Ne e lëshojmë këtë seancë nuk kemi asnjë arsye me vazhdu”, është shprehur ajo.

Ndryshe Bajrami, të enjten në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës para deputetëve ka prezantuar rezolutën për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2.

Gjatë këtij mandati qeverisës, sipas Bajramit, janë nënshkruar mbi 1 mijë e 800 kontrata njëburimore në vlerë për mbi 240 milionë euro.

“Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore, sepse nuk merret vlerë për para, projekti kushton më shumë dhe kualiteti ka mundësi të mos jetë më i mirë”, ka potencuar ajo.

Për më tepër, sipas saj, kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut të lirë dhe ndikon në deformimin e konkurrencës së drejtë.

“Mbi të gjitha këto kontrata njëburimore janë burim i korrupsionit”.

Sipas Bajramit në mesin e abuzuesve me kontratat njëburimore prinë Korporata e Energjisë Elektrike e cila prej 240 milionë eurove ka 102 milionë euro kontrata të negociuara.

“Janë gjithsej 112 kontrata, ne e dimë që KEK-u ka blerë 60 milionë euro pjesë nga General Electrics, mirëpo çka me 43 milionë të tjera. KEK-u ka negociuar 13 kontrata me të njëjtën kompani në vlerë prej 5.6 milionë euro me një kompani”.

“Me një kompani tjetër ka 7 kontrata me një kompani 6 kontrata me 2 kompani të tjerë ka katër kontrata të tjerë”.

Rezolutën e LDK-së lidhur me kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2, po e mbështesin edhe partitë e tjera opozitare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore