Lajme

Gastronomët protestojnë kundër masave të reja anti COVID


Ilustrim

Shoqata e Gastronomëve, i ka ftuar të gjithë gastronomët që të protestojnë të dielën para objektit të Qeverisë së Kosovës, për t’i kundërshtuar masat e reja anti-COVID-19, të ndërmarra nga Qeveria.

Përmes një njoftimi për media kanë kundërshtuar masat e reja duke i quajtur të pakuptimta.

“Nesër, e dielë, ora 21:30, ftojmë të gjithë gastronomët që të dalim para Qeverisë, duke i marrë automjetet tuaja për të protestuar kundër masave të reja, me sirena”, thuhet në njoftimin.

Tutje në njoftim thuhet se “ky model është marrë edhe në Qeverinë e kaluar, i cili është dëshmuar se ishte i pakuptimtë dhe jo efektiv”.

“Kërkesat tona kanë qenë që të punohet sipas rregulloreve Komunale, që muzika të jetë në proporcion me këtë orar, dhe ora policore të hiqet”, thuhet tutje në njoftim e tyre në rrjetin social Facebook.

Sipas tyre, masat nuk duhet t’i kufizojnë veprimtaritë biznesore, por të stimulojnë vaksinimin e popullatës, si zgjidhja e vetme për daljen nga kjo krizë.

“Përderisa i lejojmë të hyjnë vetëm personat e vaksinuar dhe ata që ofrojnë dëshmi, pse të mos punojmë me kapacitete të plota”.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, gjatë ditës së hënë do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme, është thënë në njoftim.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, gjatë ditës së shtunë ka marrë vendim për lehtësimin e masave anti-COVID-19. Në mbledhjen e Qeverisë është vendosur që të zgjatët orari i lëvizjes për qytetarët dhe orë policore të ketë nga ora 00:00 deri në 05:00.

Nga tash, qytetarët kanë të drejtë të qarkullojnë lirshëm deri në orën 00:00, e jo deri më 22:00 siç ishte deri tash.

Maska do të vazhdojnë të mesin obligative vetëm në rastet e ngasjes si i vetëm, apo me familjarët e ngushtë; gjatë vrapimit apo ngrënies dhe pijes.

Ndërsa, gastronomisë do t’i lejohet aktiviteti deri në orën 23:00.

Kurse, propozimi i komunave ka qenë që të hiqet ora policore dhe maska kur një person është i vetëm në ambient të jashtëm, por kjo nuk është miratuar nga MSH-ja.

Ky vendim ka ardhur pas propozimit të komunave në mbledhjen e të premtes.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi sqaroi për AP se në takimi, AKK-ja ka paraqitur edhe listën e shteteve në të cilat nuk ka orë policore dhe maskat nuk janë të obligueshme në ambiente të jashtme, por që nuk është marrë parasysh nga ministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku.

Sipas raporteve të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, situata epidemiologjike me COVID–19, në Kosovë është stabile, por rreziku mbetet sepse varianti Delta vazhdon të jetë dominues tek ne dhe se në vendet e tjera në rajon dhe botë ka përkeqësim të ndjeshëm të situatës epidemiologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore