Lajme

Gashi para deputetëve të KiE-së: Qëndroni në anën e duhur të historisë, mbështetni Kosovën


Arben Gashi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i ka kërkuar secilit deputetë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në KiE, për të qëndruar kështu, siç tha ai, në anën e duhur të historisë.

“I kërkoj secilit prej jush që të qëndroni në anën e duhur të historisë, t’i qëndroni përkrah Kosovës, t’i qëndroni përkrah parimeve që definojnë identitetin tonë evropianë”, tha Gashi në fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.

“Të dërgojmë një mesazh paekuivokë që Kosova i përket KiE, që zëri jonë duhet të dëgjohet dhe që të drejtat tona duhet të respektohen”, theksoi ai, derisa i inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit që të votojnë në favor të Kosovës.

Gashi potencoi se rrugëtimi i Kosovës nuk përfundon këtu. “Ende përballemi me sfida, me pengesa e kundërshtarë që përpiqen ta shkelin progresin tonë, e ta minojnë ekzistencën tonë”.

“Çështja nuk është vetëm anëtarësimi, është çështje e njohjes së solidaritetit dhe parimeve themelore që na bëjnë bashkë si anëtarë të familjes evropiane”.

“Tepër gjatë Kosovës i është mohuar vendi i mohuar në Evropë. Tepër gjatë populli i jonë ka vuajtur nga mungesa e dinjitetit, nga përjashtimi… por sot këtu qëndrojmë para jush të si të barabartë, të gatshëm të marrim vendin tonë të merituar në komunitetin e shteteve”, shtoi.

Anëtarësimi në KiE, sipas Gashit, “nuk është vetëm çështje e rëndësisë politike për Kosovën, është çështje e një imperativi moral për të gjithë ata që kanë besuar në parimet e demokracisë, të drejtat e njeriut…”.

“Është njohje e progresit që kemi arritur në ndërtimin e institucioneve demokratike, nxitjen e harmonisë ndëretnike, promovimin e qytetarëve tanë”.

Deputeti i LDK-së potencoi se shteti që ai përfaqëson mbetet i “përkushtuar në shtegun tonë drejt lirisë, vlerave dhe tolerancës dhe dinjitetit dhe vizionit të një Kosovë që është e lirë demokratike dhe përfshirëse”.

Ndryshe, më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rrëzuar amendamentin e deputetëve serbë përmes të cilit kanë kërkuar që të shtyhet vendimi për pranimin e Kosovës në KiE, derisa të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu, është rrëzuar edhe amendamenti i propozuar nga deputetët italianë të cilët kanë propozuar që Kuvendi të konsiderojë se themelimi i Asociacionit duhet të merret parasysh si çështje në shqyrtimin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës.

Ndërsa, të martën, Kosova mund të jetë një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, meqë Asambleja Parlamentare është duke e shqyrtuar raportin e raportueses për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Dora Bakoyannis.

Por, do të duhen 2/3 e votave të deputetëve të 46 shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës të organizatës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. Pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Nis diskutimi në Asamblenë Parlamentare të KiE-së për anëtarësimin e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore