Lajme

Nis diskutimi në Asamblenë Parlamentare të KiE-së për anëtarësimin e Kosovës


Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin apo jo të Kosovës në KiE, derisa në fund të diskutimit pritet edhe votimi i raportit.

Përpiluesja e raportit, Dora Bakoyannis, ka theksuar se gjatë punës së saj, “asnjë gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në hartimin e raportit dhe shtoi se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Bakoyannis ka deklaruar se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Ajo ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’ia dhënë tokat Manastirit të Deçanit, derisa e ka konsideruar si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ajo ka potencuar se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës.

Megjithatë, ajo ka vlerësuar se kjo çështje ka qenë një gur themel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, teksa ka shtuar se kjo temë nuk është në duart e Këshillit të Evropës.

Po ashtu, Bakoyannis ka folur edhe për komentet agresive – shumica nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën – në lidhje me raportin që e ka përpiluar, ku u ka thënë se duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se këto vende në asnjë rast nuk do ta mbështesnin raportin.

“Sepse ata refuzojnë idenë e shtetit të Kosovës, e jo vetëm respektimin e kushteve”, deklaroi Bakoyannis.

Ajo pohoi se nuk ka pasur detyrë të merret me çështjen e shtetësisë. “Po të ishte kështu, unë nuk do të pranoja ta bëja raportin”, duke shtuar se ajo do të përshtatej me qëndrimin e vendit të saj, Greqisë.

Ndryshe, më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rrëzuar amendamentin e deputetëve serbë përmes të cilit kanë kërkuar që të shtyhet vendimi për pranimin e Kosovës në KiE, derisa të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu, është rrëzuar edhe amendamenti i propozuar nga deputetët italianë të cilët kanë propozuar që Kuvendi të konsiderojë se themelimi i Asociacionit duhet të merret parasysh si çështje në shqyrtimin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës.

Ndërsa, të martën, Kosova mund të jetë një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, meqë Asambleja Parlamentare është duke e shqyrtuar raportin e raportueses për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Dora Bakoyannis.

Por, do të duhen 2/3 e votave të deputetëve të 46 shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës të organizatës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore