Përballje

Gambia godet Guinen, arrin çerekfinalet e Kupës së Afrikës


Shteti i tretë që ka arritur çerekfinalet e Kupës së Afrikës, është Gambia.

Në raundin e të 16-ave, Gambia përballej me Guinen.

Ndeshja prodhoi shumë spektakël, raste, por vetëm një gol.

Pjesa e parë ishte shumë e baraspeshuar, me të dy skuadrat që kishin nga gjashtë goditje, dhe secila prej tyre edhe nga një shtyllë.

Përkundër këtyre mundësive, asgjë nuk ndryshoi, me rezultatin që mbeti ai i njëjti sikur në fillim.

Pjesa e dytë vazhdoi me të njëjtin rritëm.

Kur u duk që dy portierët do të ishin fytyra kryesore e këtij takimi, në skenë u ngjit sulmuesi i Gambisë, Musa Barrow.

Lojtari i cili luan për Bologna-n, arriti të gjejë rrugën e rrjetës pas një asistimi të Yusupha Bobb.

Pas 71 minutash lojë, rezultati shënonte Guinea 0-1 Gambia.

Deri në fund kishte shumë mundësi, por edhe dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër.

Guinea tentoi me të gjitha forcat, madje dy herë goditi shtyllën, por nuk kishte fat.

Në këtë mënyrë, Gambia arriti fitoren dhe kualifikimin historik.

Gambia në çerekfinale do të përballet me fituesin e duelit Kamerun – Komoros, që zhvillohet sonte me fillim në orën 20:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore