Sport

Futbollistët shqiptarë që ndërruan ekipe në afatin kalimtar dimëror


Afati kalimtar dimëror i transferimeve për vitin 2023 në futboll, u mbyll në mbrëmjen e 30 janarit.

Shumë lëvizje interesante pati, sidomos gjatë orëve të fundit, derisa janë edhe futbollistët shqiptarë që ndërruan ekipe gjatë këtij afati kalimtar të janarit.

Sigurisht, ai më interesanti, ose më i vlefshmi ishte Nedim Bajrami. Mesfushori shqiptar ndërroi skuadër por ligën jo.

Reprezentuesi i kuqezinjve është huazuar nga Empoli te Sassuolo, me këta të fundit që e kanë të drejtën e blerjes së tij në fund të sezonit, që flitet të jetë 8 milionë euro.

Bajrami ishte pjesë e Empoli-t që nga vera e vitit 2020, kur u transferua nga skuadra zvicerane, Grasshoppers, për shumën e 500 mijë eurove.

Gjatë kësaj periudhe me fanellën e Empol-it, Bajrami luajti në 127 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave shënoi dhe asistoi nga 22 herë.

Tjetër transferim interesant është edhe kalimi i futbollistit të Kosovës, Zymer Bytyqit, nga skuadra turke, Konyaspor, në kampionatin grek te Olympiacos.

26-vjeçari i kushtoi kampionëve në fuqi të Greqisë 1 milion euro, teksa u largua nga kampionati turk pas dy viteve shkëlqimi atje.

Gjatë kësaj periudhe në Turqi, Bytyqi luajti 83 ndeshje me fanellën e Konyaspor-it, prej të cilave shënoi 11 gola dhe dhuroi 15 asistime.

Ndryshim skuadre ka bërë edhe futbollisti tjetër i Kosovës, Astrit Selmani, i cili u rikthye në futbollin skandinav.

Selmani u transferua te skuadra daneze, Midtjylland, si huazim deri në qershor nga klubi izraelit, Hapoel Beer Sheva.

Sulmuesi 25-vjeçar u transferua në Izrael vetëm në verën e kaluar nga skuadra suedeze, Hammarby për 1 milion euro.

Në total, Selmani ka luajtur në 23 ndeshje me fanellën e Beer Sheva-s, prej të cilave ka shënuar tre gola dhe ka dhuruar dy asistime.

Ambient gjatë afatit kalimtar të janarit ndërroi edhe mesfushori tjetër kosovar, Bersant Celina.

Celina la kampionatin turk me skuadrën e Kasimpasa-s, për t’iu bashkuar Stoke City-t në Championship të Anglisë.

Mesfushori i dardanëve ishte i huazuar në Kasimpasa nga skuadra franceze, Dijon, derisa huazimi vazhdon edhe në kategorinë e dytë të futbollit anglez.

26-vjeçari, në të njëjtin kampionat do ta ketë kundërshtar futbollistin tjetër shqiptar, Anis Mehmetin.

Talenti shqiptar, ka ndërruar kampionat, por jo edhe shtet. Mesfushori ofensivë është larguar nga Wycombe (League One) për t’iu bashkuar Bristol City-t në Championship.

22-vjeçari Mehmeti ka nënshkruar një kontratë tre vjeçare e gjysmë deri në qershor të vitit 2026.

Transferim tjetër interesant – që theu rekordin si transferimi më i shtrenjtë nga kampionati shqiptar, është Xhuliano Skuka.

Skuka u transferua nga skuadra e Partizanit në atë të ligës së dytë franceze, Metz, për shumën e 1.4 milionë eurove.

Ndërkohë, klubi nga kryeqyteti shqiptar e transferoi sulmuesin nga Trepça’89, Christian Mba-n, për shumën e 100 mijë eurove, që njëkohësisht është transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit të tyre.

Ambient në këtë afat kalimtar ndërroi edhe futbollisti tjetër shqiptar, Marsel Ismajlgeci.

Ky i fundit (numëron dy ndeshje me Shqipërinë) u transferua nga Tirana te kampioni i Bosnjës, Zrinjski Mostar për shumën e 180 mijë eurove.

Ndërkohë, futbollisti i radhës që ka ndërruar skuadër është Ardit Toli.

Futbollisti që ka një ndeshje me Kombëtaren A të Shqipërisë dhe ishte pjesë e skuadrave zinxhirë të kuqezinjve, u transferua nga klubi ukrainas, Vorskla Poltava, në Gjeorgji te skuadra Torpedo Kutaisi.

25-vjeçari kuqezi do të kalojë gjashtë muaj huazim te skuadra e Torpedo-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore