Shqipëria

“Fun Run” – për mendjet e shëndosha – në Tiranë


Maratona e Tiranës është vetëm një ditë larg, por fundjava e madhe sportive dhe sociale në kryeqytet, fillon sot, me vrapimin simbolik të nxënësve të shkollave 9-vjeçare, nën moton “Fun Run” (vrapim për qejf).

Simbolika e këtij rrugëtimi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, do të jetë edhe promovimi i shëndetit mendor të mirë, sidomos tek të rinjtë.

Vetëm sipas një raporti të fundit nga UNICEF, tre adoleshentë vetëvriten çdo ditë. Nëntë milionë jetojnë përditshmërinë e tyre me një çrregullim të shëndetit mendor.

Për këtë arsye, vrapimi për të mbajtur lart frymën e mirëqenies mendore, vjen në një çast shumë të përshtatshëm për shoqërinë jo vetëm shqiptare, por edhe atë botërore.

“Fun Run” do të jetë një aktivitet, i cili do të zgjasë katër orë. Fillimi do të jetë në 08:00 dhe përfundimi në 12:00. Pista ku do të zhvillohet vrapimi do të jetë përgjatë gjithë bulevardit kryesor të Tiranës.

Bashkia ndërkaq ka bërë me dije edhe gjithë masat e marra për dy ditët.

Nga qytetarët, është kërkuar fillimisht të mos parkojnë mjetet e tyre, në akset ku do të kalojnë dy ngjarjet sportive kryeqytetase. Thirrje ka edhe që automjetet, të mos përdoren aspak, ose minimalisht të limitohet shfrytëzimi i tyre gjatë fundjavës.

Devijime të rrugëve do të ketë edhe për këmbësorët, të cilët duhet të bashkëpunojnë me autoritetet lokale policore, për të respektuar garuesit në maratonë.

Maratona e vërtetë, do të zhvillohet të dielën e 17 tetorit, nga ora 07:00 deri në 17:00.

Aktivitete të tjera sportive, do të zhvillohen po ashtu ndërkohë që maratona zgjat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore