Sport

FSHF dhe RTSH shpallin më të mirët e sezonit të kaluar në futbollin shqiptar


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Radio Televizioni Publik Shqiptar (RTSH) kanë shpallur formacionin me lojtarët më të mirë të sezonit të kaluar në Abissnet Superiore.

Përveç lojtarëve më të mirë, u shpallën edhe dy fituesit e “Topit të Artë” për meshkuj dhe femra.

“Topi i Artë” për meshkuj shkoi për Dejvi Bregun, ish-lojtarin e Teutës, që aktualisht luan në Turqi me Boluspor-in.

Ndërsa, ai për femra shkoi për Megi Doçin. Kapitenen e Kombëtares së Shqipërisë dhe skuadrës së Vllaznisë.

Formacioni i vitit u përzgjodh nga një juri e analistëve teknik të emisioneve sportive në vend, të cilët kishin marrë përsipër përgjegjësinë për votimin e 11-shit titullar, trajnerin e vitit dhe talentin e sezonit.

Porta ju besua portierit të Tiranës dhe përfaqësueses së Kosovës, Visar Bekaj. Çmimi “Talenti i Sezonit” shkoi për Marsel Ismajlgecin e Tiranës, që njëkohësisht u shpall dhe mbrojtësi i majtë më i mirë.

Erdenis Gurishta i Vllaznisë u shpall mbrojtësi i djathtë më i mirë. Mevlan Adili i Vllaznisë dhe Egzon Belica i Partizanit u shpallën qendrat më të mira të mbrojtjes.

Në mesfushë më të mirët u shpallen: Albano Aleksi i Teutës, Regi Lushkja i Laçit dhe Juljan Shehu, po i Laçit.

Treshja e sulmit përbëhej nga Bregu, Agim Ibrahimi i Kukësit (aktualisht te Dinamo) dhe Jasir Asani i Partizanit (aktualisht te Kisvarda).

Thomas Brdaric i Vllaznisë u shpall trajneri më i mirë i sezonit. Gjyqtari më i mirë u shpall, Eldorjan Hamiti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore