Lajme

FSB-ja merr në pyetje diplomatin japonez pasi e arrestoi për spiunazh


Një diplomat japonez u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) dhe u akuzua për përfshirje në spiunazh.

Kjo, pasi mori informacion të klasifikuar në këmbim të një pagese, tha FSB-ja të hënën.

Akuza, sakaq, është mohuar kategorikisht nga Tokio zyrtar.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia vendase “Kyodo News”.

Tatsunori Motoki, një konsull në Konsullatën e Përgjithshme Japoneze në Vladivostok, u shpall persona non grata dhe u urdhërua të largohej nga vendi brenda 48 orëve pas ndalimit të tij.

Ai u lirua pasi u mbajt për disa orë, tha të martën qeveria japoneze.

Ministria e Jashtme e Japonisë thirri ambasadorin rus Mikhail Galuzin të martën për të paraqitur një notë proteste.

Kryediplomati japonez Yoshimasa Hayashi u tha gazetarëve se ndalimi dhe marrja në pyetje e një konsulli është një “shkelje e qartë e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore”.

Hayashi tha se veprimi i Rusisë ishte “krejtësisht i papranueshëm” pasi konsulli nuk kishte kryer një veprim të paligjshëm dhe ai ishte trajtuar “në mënyrë shtrënguese” nga autoritetet ruse gjatë ndalimit të tij, duke përfshirë edhe lidhjen e syve dhe kufizimin fizik.

Ministria kërkoi që Moska të kërkojë falje formale dhe të sigurojë që një incident i ngjashëm të mos ndodhë më, tha Hayashi, duke shtuar se qeveria duhet të marrë masat e duhura kundër Rusisë.

Sekretari kryesor i kabinetit Hirokazu Matsuno tha në një konferencë për shtyp se diplomati nuk kishte probleme shëndetësore dhe do të largohej nga Rusia deri të mërkurën.

Incidenti ndodhi mes sanksioneve të rrepta ekonomike ndaj Rusisë të vendosura nga Japonia dhe vendet perëndimore lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Moska që nga fundi i shkurtit.

FSB-ja tha se Motoki mori informacion të klasifikuar mbi bashkëpunimin midis Rusisë dhe vendeve të Azisë-Paqësorit, si dhe mbi ndikimin e sanksioneve perëndimore në rajonin e Lindjes së Largët të Rusisë. Ai akuzohet se ka paguar për informacionin.

Mediat lokale publikuan pamjet e konsullit duke marrë dokumente në atë që duket të jetë një restorant dhe se ai pranon akuzat gjatë marrjes në pyetje të FSB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore