Kosova

Frika nga kriza ushqimore – Qeveria suspendon procedurën e prokurimit


Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që furnizimi me produkte të Rezervave Shtetërore të Mallrave, të përjashtohet nga procedurat e prokurimit.

Këtë vendim Qeveria e Kosovës e ka marrë në mbledhjen e saj elektronike të mbajtur në orët e pasdites të së shtunës së 26 shkurtit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën është miratuar kërkesa e Departamentit të Rezervave Shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që furnizimi me produkte të Rezervave Shtetërore të Mallrave të përjashtohet nga procedurat e prokurimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Gjithashtu, në këtë njoftim thuhet se Qeveria ka rritur sasinë e nevojshme të rezervave shtetërore qysh vitin e kaluar, ndërsa vendimi i marr të shtunën, sipas Qeverisë së Kosovës ka për qëllim lehtësimin e mëtejmë të furnizimit me produkte të rezervës shtetërore.

“Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, Republika e Kosovës ka rritur sasinë e nevojshme të rezervave në përputhje me Programin për rezervat shtetërore”.

“Ndërkaq vendimi i sotëm ka për qëllim lehtësimin e mëtejmë të furnizimit me produkte të rezervës shtetërore, sipas nevojave”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Në anën tjetër, ditë me parë nga Divizioni i Rezervave Shtetërore i Kosovës kanë thënë se aty kanë rezerva vetëm për 5 ditë deri në 1 javë.

“S’ka nevojë për panik, rezerva të miellit ka”

Kurse nga ana e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë të përbashkët për media është thënë se ka rezerva të mjaftueshme të miellit dhe se nuk ka nevojë për panik.

“Synimi ynë si qeveri është që të njoftojmë qytetarët se nuk ka nevojë për panik, meqenëse sot gjatë ditës kemi parë raste pranë disa mullive që ka pasur kolona të gjata, që na kujtojnë kohën e marsit dhe prillit të vitit 2020, kur ngjashëm ishte përhapur një panik se do të mbeteshin pa miell apo pa bukë”, ka thënë Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Ndërsa, ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdar, ka deklaruar se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj, duke shtuar se këto konstatime kanë ardhur pas takimeve me mullisët e vendit.

“Në takim me mullisët na kanë siguruar që Kosova ka miell edhe për  tre deri në gjashtë muaj. Madje edhe sot na thanë se Kosova nuk ka nevojë për panik”, është shprehur ajo.

“Kemi edhe vende mike që sigurojnë se do ta ndihmojnë Kosovën me furnizime shtesë nëse ka nevojë pas disa muajsh”, tha më tutje ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore