Lajme

Freedom House për Kosovën: “Institucionet mbeten të dobëta e me korrupsion të shfrenuar”


Prishtinë

“Institucione të dobëta e korrupsion i shfrenuar që rezulton në mosbesim të thellë të publikut ndaj qeverisë”, shkruan organizata “Freedom House” në raportin e saj vjetor vlerësues për Kosovën.

Korrupsioni dhe kapja e shtetit janë plotësisht të shtrira, sipas Freedom House, dhe korniza institucionale për t’i luftuar ato është e dobët.

Përkushtimi i autoriteteve shtetërore për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë ka qenë i ulët, dhe ndjekja e zyrtarëve të lartë edhe më e rrallë, thotë raporti.,

“Qeveria Kurti ka marrë një numër vendimesh kyçe gjatë vitit – përfshirë disa në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi – me transparencë të kufizuar dhe pa konsultuar Kuvendin, duke ngjallur kritika nga opozita dhe shoqëria civile”.

“Sistemi i lartë arsimor mbetet i nënshtruar ndaj ndikimeve politike. Në korrik të 2019-ës, tre universitete të themeluara mes viteve 2009-2015 humbën akreditimet për shkak të cilësisë së dobët të kurrikulave dhe dështimeve administrative. Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës ishin të përfshirë në themelimin e këtyre shkollave, dhe kanë mbajtur pozita udhëheqëse në këto universitete”, shkruan në raport.

Gjithashtu ky raport ndjek vijën e ndikimit të shtetit të Serbisë në strukturat e krimit në Veri të Kosovës përmes Listës Serbe si instrument të saj politik.

Po ashtu përmendet edhe ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për “lidhje me krimin e organizuar dhe nivelin e lartë të korrupsionit”.

Në të njëjtën kohë theksohet ndikimi politik dhe biznesor në vijat editoriale të mediave, përfshirë televizionin publik të Kosovës.

“Qeveria dhe biznese të interesit ushtrojnë ndikim në linjat redaktoriale, përfshirë RTK-në. Gazetarët vazhdimisht raportojnë ngacmime dhe frikësime; disa gazetarë janë sulmuar në vitin 2021 derisa raportonin në Veri të Kosovës”, shkruan raporti.

Po ashtu, raporti vëren një përmirësim në shkallën e demokracisë në vend, nga sa prej 1 deri n 7, Kosova shënon 3.25, në krahasim me raportin e kaluar ku shënonte 3.14.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore