Lajme

Franca kërkon që Kosova të përmbahet “nga veprimet e njëanshme”, pas aplikimit në KiE


Flamuri i Kosovës dhe Francës.

Ambasada e Francës në Kosovës, përmes një komunikate ka deklaruar se i takon Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por ka kërkuar “përmbajtje nga veprimet e njëanshme”.

“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij”, thotë ambasada franceze.

Ndër të tjera, në deklaratë potencohet edhe prioriteti aktual i Kosovës.

“Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit”.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në këtë drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione”, ka thënë ambasada franceze.

Gjatë ditës së enjte, Pierre Corhard, ambasador i Francës në Beograd, ka thënë për “TV Nova” se Franca nuk i përkrah vendimet e njëanshme.

Ndryshe, edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka ofruar përkrahjen e shtetit të tij për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Ai përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ka thënë se kërkesa e Kosovës për t’u pranuar në Këshillin e Evropës është sinjal i vendosmërisë për të përkrahur vlerat evropiane.

“Dëshira e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës është sinjal i mirëpritur i përkushtimit të saj për demokracinë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj. Është gjithashtu shenjë e gatishmërisë dhe vendosmërisë për të përkrahur vlerat kyçe evropiane dhe për ta çuar më tej integrimin e saj ndërkombëtar. I uroj sukses Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook të premten.

Këshilli i Evropës.

Kosovës mbështetje i ka dhënë edhe Gjermania, ndërsa Franca ka thënë se nuk përkrah vendime të njëanshme për shkak se “mund të çojnë në tensionime”.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka bërë të ditur se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është duke u përkrahur nga grupet më të fuqishme parlamentare të Bundestagut gjerman.

Edhe, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde të premten e 13 majit ka shprehur mbështetjen për procesin dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndryshe, këtë të enjte të 12 majit, Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këtë e ka bërë të ditur, shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Sharr Jakupi, përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ku ndër të tjera ka njoftuar se Gërvalla personalisht ka dorëzuar aplikimin në këtë organizatë, pas takimit që ajo ka realizuar me zyrtarët e Këshillit të Evropës.

“Ministrja dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, sapo ka përfunduar takimin e saj në Këshill të Evropës ku ajo e ka dorëzuar personalisht aplikimin. Konfirmoj se zyrtarisht Kosova ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Këshill të Evropës”, ka shkruar Jakupi.

Po ashtu Drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KE, Dushan Vojnoviç, ka konfirmuar për Albanian Post se aplikimi i qeverisë së Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, është marrë.

“Mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është marrë”, shkruante ai për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore