Lajme

Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, thotë Rohde


Jorn Rohde

“Kosova i takon Këshillit të Evropës”.

Kështu mendon ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili një ditë pasi Kosova ka dorëzuar dokumentacionin për aplikim në Këshillin e Evropës, ka shfaqur mbështetjen e shtetit gjerman për rrugën e Kosovës drejtë kësaj organizate ndërkombëtare.

“Mezi po presim ta shohim Kosovën si pjesë e familjes së Këshillit të Evropës, i cili punon për të promovuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kosova i takon Këshillit të Evropës. Gjitha të mirat në rrugëtimin e anëtarësimit”, ka shkruar Rohde në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndryshe, këtë të enjte të 12 majit, Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këtë e ka bërë të ditur, shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Sharr Jakupi, përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ku ndër të tjera ka njoftuar se Gërvalla personalisht ka dorëzuar aplikimin në këtë organizatë, pas takimit që ajo ka realizuar me zyrtarët e Këshillit të Evropës.

“Ministrja dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, sapo ka përfunduar takimin e saj në Këshill të Evropës ku ajo e ka dorëzuar personalisht aplikimin. Konfirmoj se zyrtarisht Kosova ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Këshill të Evropës”, ka shkruar Jakupi.

Po ashtu Drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KE, Dushan Vojnoviç, ka konfirmuar për Albanian Post se aplikimi i qeverisë së Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, është marrë.

“Mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është marrë”, shkruante ai për Albanian Post.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore