Lajme

Ambasadori i Kosovës në Gjermani për anëtarësimin në KE: Grupet më të fuqishme në Bundestag po e përkrahin


Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka bërë të ditur se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është duke u përkrahur nga grupet më të fuqishme parlamentare të Bundestagut gjerman.

Këtë ambasadori Ajeti e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke publikuar letrën e dy deputetëve gjermanë.

“Kërkesa e djeshme e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës është duke u përkrahur nga grupet më të fuqishme parlamentare të Bundestagut gjerman. Faleminderit për mbështetjen Frank Schwabe dhe Adis Ahmetovic nga SPD”, ka shkruar ambasadori Ajeti.

Edhe, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde të premten e 13 majit ka shprehur mbështetjen për procesin dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kosova i takon Këshillit të Evropës”.

Këshilli i Evropës.

“Mezi po presim ta shohim Kosovën si pjesë e familjes së Këshillit të Evropës, i cili punon për të promovuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kosova i takon Këshillit të Evropës. Gjitha të mirat në rrugëtimin e anëtarësimit”, ka shkruar Rohde në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndryshe, këtë të enjte të 12 majit, Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këtë e ka bërë të ditur, shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Sharr Jakupi, përmes një postimi në rrjetin e tij social Tëitter, ku ndër të tjera ka njoftuar se Gërvalla personalisht ka dorëzuar aplikimin në këtë organizatë, pas takimit që ajo ka realizuar me zyrtarët e Këshillit të Evropës.

“Ministrja dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, sapo ka përfunduar takimin e saj në Këshill të Evropës ku ajo e ka dorëzuar personalisht aplikimin. Konfirmoj se zyrtarisht Kosova ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Këshill të Evropës”, ka shkruar Jakupi.

Po ashtu Drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KE, Dushan Vojnoviç, ka konfirmuar për Albanian Post se aplikimi i qeverisë së Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, është marrë.

“Mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është marrë”, shkruante ai për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore