Lajme

FMN: Vaksinimi dhe diaspora mund ta rrisin ekonominë 5-6 për qind në Kosovë


Fondi Monetar Ndërkombëtar

“Vaksinimi i popullatës në Kosovë dhe rihapja e kufijve mund të çojë në rritje ekonomike deri në 6 për qind, brenda vitit 2021”, ka parashikuar Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Sipas shefit të këtij ekipit të FMN-së që bëri raportin për Kosovën, Gabriel Di Bella rritja mund të ndodhë nëse programi i vaksinimit është i suksesshëm.

Një rihapje e kufijve që mundëson ardhjen e diasporës në sezonin e verës u pa si shtysë në rritjen e aktivitetit ekonomik.

“Nëse realizohet, përfitimet ekonomike në vitin 2021 duhet të kompensojnë humbjet prej 4 deri në 5 për qind të shkaktuara nga pandemia në vitin e kaluar”, tha Bella.

Sipas FMN-së, forcimi i infrastrukturës sociale, promovimi i digjitalizimit dhe zvogëlimi gradual i ndotjes dhe gjurmëve të karbonit në Kosovë do të kontribuojnë në rritjen më të shpejtë të kapitalit njerëzor, produktivitetin dhe përgatitjen e ekonomisë për sfidat post-pandemike.

“Efekt të madh do të ketë ardhja e mërgimtarëve në Kosovë, pas një viti të vështirë të pandemisë. Historikisht në pjesën e dytë të vitit apo në gjashtë mujorin e dytë gjithmonë ka pasur ngritje në përformancën e gastronomisë”, ka thënë Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomeve, për Albanian Post.

Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka thënë se ndikimi i diasporës në rritjen ekonomike do të jetë i rëndësishëm këtë vit.

“Mendoj që gjasat janë që mërgata këtë radhë të vijë në numra më të mëdha sesa zakonisht, sepse e kemi pasë vitin e kaluar ku nuk kanë mundur të vijnë për shkak të pandemisë, besoj që këtë herë interesimi që të vijnë në Kosovë do të jetë edhe më i madh”, thotë Ymeri.

Pamundësia e bizneseve në Kosovë për të ushtruar aktivitetin e tyre në mënyrë normale, vitin e kaluar, ndikoi në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në rënien ekonomike.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për 13 vjet Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitenca.

Në Kosovë, në vitin 2020, vlera e remitencave, sipas të dhënave të BQK-së, ishte rreth 940 milionë euro. Kurse, në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e remitencave kap shumën e mbi 200 milionë eurove.

Vetëm brenda dy javëve të fundit, sipas informatave zyrtare, mbi 40 mijë qytetarë nga diaspora kanë hyrë në Kosovë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Kurse, deri më 22 qershor, në Kosovë janë administruar mbi 140 mijë doza të vaksinave kundër pandemisë COVID-19.

Kosova vazhdon të jetë një nga vendet me numrin më të vogël të të vaksinuarve në Evropë.

Qeveria ka thënë se deri në fund të vitit planifikon të vaksinojë 60 për qind të popullsisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore