Lajme

FMN-ja: Masat e BE-së mund të bëhen pengesë për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë


Ilustrim

Një delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i njohur ndryshe si FMN i udhëhequr nga zëvendës-shefi i divizionit në Njësinë e Ekonomive në Zhvillim të Departamentit Evropian të FMN-së, Gabriel Di Bella, së fundmi vizitoi Kosovën.

Nga 31 korriku deri më 4 gusht, ky delegacion zhvilloi disa takime në Kosovë ku ndër të tjera diskutojë për zhvillimet e fundit makroekonomike dhe zhvillime të tjera.

Në një komunikatë të lëshuar për media nga ky institucion pas përfundimit të vizitës në Kosovës, Di Bella, ka vënë theksin te zhvillimet e fundit në katër komunat veriore në Kosovë dhe impaktin që ky tensionim i situatës në këtë pjesë të vendit ka ndikuar në situatën ekonomike.

Sipas Di Bellas, vendosja e masave ndëshkuese nga ana e Bashkimit Evropian pas mosgatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për të shtensionuar situatën në Veri të Kosovës mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

“Në veçanti, zhvillimet e fundit në katër komunat veriore çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme nga disa donatorë dhe partnerë tradicionalë të cilët kanë kufizuar bashkëpunimin ekonomik dhe financiar. Ndërsa këto masa nuk pritet të ndikojnë në perspektivën afatshkurtër, ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi, nëse qëndrojnë për një kohë më të gjatë.”

Di Bella ndër të tjera pas takimeve të zhvilluara me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, kryeministrin Albin Kurtin, ministrin e Financave, Hekuran Muratin e ministren e Ekonomisë, Artane Rivzalloni, ka konkluduar se kushtet makroekonomike në Kosovë kanë mbetur të favorshme deri më tani.

“Rritja mbetet elastike, inflacioni vazhdon të bjerë dhe deficiti ka filluar të ngushtohet. Të ardhurat fiskale vazhdojnë të rriten me ritme të shëndetshme, zbatimi i programit të investimeve publike është rritur dhe buferët fiskalë kanë mbetur në nivelet e duhura”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore