Lajme

Fluturimi Londër-Singapor: 20 persona në kujdes intensiv – hetim për turbulencat që shkaktuan aksidentin


20 persona që ishin në bordin e Boeing 777 të Singapore Airlines janë në kujdes intensiv pasi avioni i tyre hasi në turbulenca të papritura.

Numri i përgjithshëm i të lënduarve ka shkuar në 85 (79 pasagjerë, gjashtë stjuardesa), ndërsa një person ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak.

Avioni, i cili u ngrit nga Londra Heathrow dhe u nis për në Singapor me 211 udhëtarë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit, u devijua në Bangkok, Tajlandë, pasi hasi në trazira mbi Mianmar.

Ndihma mjekësore

Spitali “Samitivej Srinakarin” në Bangkok shpjegoi në një shënim se nga 20 personat në kujdesin intensiv, gjashtë janë britanikë, gjashtë malajzianë, tre australianë, dy nga Singapori, një nga Hong Kongu, një Zelanda e Re dhe një filipinase.

Nëntë persona iu nënshtruan operacionit të martën më 21 maj dhe pesë të tjerë të nesërmen.

104 persona morën kujdes mjekësor, përfshirë ata me mavijosje të lehta.

Dëshmitë

Andrew Davies, një pasagjer britanik në bord, i tha “BBC” se avioni “humbi lartësinë papritur dhe pa paralajmërim”.

“Gjëja që mbaj mend më mirë ishin objektet që fluturonin. Isha i mbuluar me kafe. Kishte turbulenca tepër të forta”.

 Hetimet

Ndërkohë, pak orë pas aksidentit, një ekip ekspertësh të Byrosë së Hetimit të Ministrisë së Transportit të Singaporit zbarkuan në Bangkok.

Në ditët në vijim do të shkarkohen të dhënat e regjistruara nga dy “kutitë e zeza” (njëra që regjistron audion në kabinë, tjetra ruan mijëra parametra fluturimi) dhe do të merren dëshmitë e pilotëve, stjuardeve dhe pasagjerëve.

Bordi Kombëtar Amerikan i Sigurisë së Transportit dërgoi gjithashtu një nga anëtarët e tij për të ndihmuar në hetim pasi avioni ishte prodhuar në SHBA (Boeing).

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore