Shqipëria

Flet Sylvinho për shpalljen e listës kuqezi në Euro 2024: Nuk kemi kohë për eksperimente, të grumbulluarit e merituan


Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, ka folur menjëherë pas shpalljes së listës kuqezi për kampionatin evropian të futbollit, Euro 2024, ku pavarësisht se ka lënë jashtë disa emra me rëndësi nga kualifikueset, ka thënë se ekipi nuk ka kohë për eksperimente dhe kush është grumbulluar, e ka merituar.

“Jam krenar që erdhi ky moment. Trajneri dhe stafi kanë falënderim të veçantë për ata që kontribuan, kam mirënjohje për të gjithë. Zgjedhjet janë bazuar në proces të gjatë studimi”, ka thënë Sylvinho menjëherë pas shpalljes së listës së tij paraprake.

Sylvinho publikon listën e Kombëtares për Euro 2024 – Uzuni, Cikalleshi e Muja jashtë evropianit

Ai tha se ekipi i trajnerëve ka bërë zgjedhjet për të përballur me sukses një fazë finale evropiani. Puna në Kombëtare sipas tij, është ndryshe nga klubet.

“Ne në miqësore i dhamë mundësi disa lojtarëve. Dera e kombëtares është e hapur. Ne provuam lojtarët që donim, por nuk kemi kohë për eksperimente. Finalet e Evropianit kanë specifikë. Jam i bindur se grupi është 100 për qind. Zgjedhja ime është e vështirë, faleminderit të gjithë. Ne do shkojmë në Evropian me optimizëm”.

Ai ka folur edhe me emra konkretë për grumbullimet.

“Sa i përket Berishës dhe Abrashit, po them dy fjalë. Ne pamë edhe listën e Spanjës, e pamë se de La Fuente bëri zgjedhje të vështira. Abrashi është lojtari i mirë, është mesfushori i vetëm që ka luajtur në Evropianin 2016 nga lista. Medon Berishën e ndjekim prej kohësh, lojtar i talentuar. Vlerësoj edhe punën e bërë nga U21, siç kishim rastin e Mitaj. Mendoj se Berisha mund të jetë gati për kombëtaren e madhe”.

Ai vijoi duke thënë se për stafin e Kombëtares, nuk ka rëndësi nëse dikush luan apo jo në ekipet e veta për t’u thirrur, ky nuk është një kriter madhor.

“Lojtarët që vijnë duhet të jenë gati 100%. Muçollin do doja ta kisha, nuk ishte gati, kam folur me doktorin, por nuk ishte gati. Sa i përket Brojës, të gjithë e njohin, është i fortë në situata 1 me 1, është rikuperuar prej 6 muajsh. Janë  lojtarë që japin shumë në fushën e lojës”, shpjegoi.

Më tej, Sylvinho shtoi: Unë dëshiroja të merrja 35. Është e vërtetë që ka lojtarë që e meritojnë të jenë këtu, por nuk mund të marr. UEFA thotë 26. Disa e meritojnë, por kështu është jeta, nuk është e lehtë. Ne i kemi studiuar lojtarët në nivel individual, karakteristikat, kundërshtarin, skenarët, nuk është e thjeshtë. Pastaj në bazë të të gjithave zgjodhëm këto, por sigurisht që kemi deri në 10 lojtarë më shumë të gatshëm për të hyrë në ekip, por bëmë këtë zgjedhje. Kemi 15 ditë stërvitje, me 7 duhet të bëjmë listën përfundimtare. Më vjen keq për lojtarët, jemi në vështirësi, rregulli është 26. Për fat të keq është kështu dhe ne kemi besim te këta 27 që janë këtu.

Në mbyllje, foli edhe për ndryshimet e mundshme.

“Kemi 3 muaj që punojmë me këtë listë. Lista ka ndryshuar disa herë. Kjo listë është produkt i 3 ditëve të fundit. Nëse ndryshon diçka? Edhe mund të ndodhë! Nuk kanë lidhje kualifikueset, Evropiani ka tjetër specifikë. Provojmë të bëjmë diçka më shumë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore