Gjykata Speciale

Flet për AP nënshkruesi i Raportit të Dick Marty-t në KiE: Raporti s’e pretendonte të vërtetën, s’duhej të merrej si fakt – Korrigjimin mund ta bëjë Rezoluta e Shqipërisë


Ilustrim/Albanian Post: Kimmo Sasi

Raporti i Dick Marty-t që fliste për trafikim organesh nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk pretendonte të paraqiste të vërtetën, por vetëm kërkonte të bëhej një hetim, thotë ekskluzivisht në një përgjigje për Albanian Post, Kimmo Sasi, politikani dhe juristi finlandez dhe një nga nënshkruesit e Rezolutës në Këshillin e Evropës (KiE).

Ishte Asambleja e Përgjithshme e KiE-së në vitin 2011 që kishte miratuar një Rezolutë bazuar në Raportin e Senatorit të atëhershëm zviceran me emrin Dick Marty, ku përveç akuzave të tjera, flitej edhe për një grup në krye të UÇK-së që merrej me trafikim organesh të qenieve njerëzore.

Sasi, ish-përfaqësuesi i Finlandës në Asamblenë e KiE-së nga Koalicioni Nacional i Qendres së Djathtë, më shumë se një dekadë më vonë, sqaron ekskluzivisht për Albanian Post, pse kishte dhënë votë aprovuese që ky raport të kthehej në rezolutë, për të përfunduar në një Gjykatë Speciale.

Ai tani thotë se nuk i kujtohet fort qartë se çfarë përmbanin materialet në atë kohë, megjithatë, duke mbrojtur pozicionin e tij të dikurshëm, pohon se kishte material të bollshëm sa për të filluar një hetim të pavarur kundër krerëve të UÇK-së.

“Në raport janë paraqitur akuza dhe ngjarje që kanë qenë një bazë e arsyeshme për të kërkuar hetim penal për rastin. Raporti nuk pretendonte të paraqiste të vërtetën. Kërkoi vetëm një hetim të paanshëm”, thotë shkurt 71-vjeçari për Albanian Post.

Raporti kontrovers, të cilin Sasi e kishte nënshkruar para 12 viteve me iniciativën e rusit Konstantin Kosachev, ishte pikënisja e themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, institucion që deputetët e kosovarë e themeluan në gusht të vitit 2015 nën presionin ndërkombëtar.

Por, me nisjen e gjyqit në prill të këtij viti ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, pretendimet për trafikim organesh nuk u panë brenda aktakuzës. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dështuar që ato çfarë thuheshin në raport t’i përkthejë në një aktakuzë.

Prokuroria e Specializuar gjithashtu nuk arriti të vërtetonte ekzistencën e famëkeqes, të ashtuquajturës  “Shtëpi e Verdhë”, ku pretendohej të ishte spitali i improvizuar i operacioneve.

Megjithatë, ish-deputeti finlandez deklaron se edhe po të nxirrej në votim sërish Raporti i Dick Marty-t, do ta nënshkruante dokumentin e njëjtë pa mëdyshje, ngase siç besonte edhe atëherë, institucionet kosovare nuk ishin të gatshme të kryejnë hetim të pavarur.

Ai e pranon se Raporti i Dick Marty-t u keqreklamua dhe u interpretua si një e vërtetë, prandaj thotë se dokumenti do të duhej të shkruhej në një mënyrë më të kujdesshme e jo të merrej si fakt.

“Në atë kohë ishim të pasigurt nëse autoritetet shtetërore do të ishin të gatshme ta hetonin rastin në mënyrë të paanshme. Megjithatë, raporti duhet të ishte shkruar në një mënyrë më të kujdesshme dhe të ishte paraqitur jo si një fakt, por si një nxitje për të hetuar”, tha Sasi.

Ai ndau përshtypjen e tij edhe për Rezolutën e Shqipërisë, e cila kërkon nga Asambleja e KiE-së të rishikojë Rezolutën 1782, atë të vitit 2011, dhe të shpallen të pabazuara të gjitha akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Kjo rezolutë, sipas Sasit, mund të jetë antipod i krijesës së Dick Marty-t.

“Raporti qëndron si një dokument historik. Por në një raport të shtetit të Shqipërisë mund të bëhen korrigjime dhe shfajësime. Kjo është një mënyrë tjetër dhe një mënyrë më e shpejtë për të rivlerësuar raportin e Marty-t”, shprehet Sasi.

Ai nuk ka pranuar të flasë më shumë për procesin gjyqësor kundër figurave të larta shtetërore të Kosovës, ngase siç tha ai, për shkak të profesionit si jurist, nuk mund të japë asnjë parashikim për rezultatin e procesit gjyqësor, por shtoi se kur të merret vendimi, mund ta vlerësojë arsyetimin e gjykatës.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se janë mbledhur zyrtarisht nënshkrimet e nevojshme në Asamblenë e KiE-së, për një mocion që synon një rezolutë të re dhe përfundimisht t’i rrëzojë pretendimet e Dick Marty-t se figurat udhëheqëse të luftës trafikuan me qenie njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.

“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare”, tha Rama.

Ishte vetë Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, që në fjalimin e tij para trupit gjykues në ditën e dytë të procesit gjyqësor tha se ishte po ai raport që e detyroi Kosovën të dëgjonte kërkesën e ndërkombëtarëve për të themeluar një Gjykatë Speciale që merret me aludime të tilla.

“Kur raporti i Dick Marty-t para 13 vitesh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafik organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur”, pohoi Thaçi.

“Bashkësia ndërkombëtare me tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot, si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë”.

Këto pretendime janë hetuar edhe nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Zyra e Prokurorit të Specializuar shpalosi aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të UÇK-së, përkatësisht ndaj Shtabit të Përgjithshëm së një ushtrie të një populli të dërrmuar nga fushata gjenocidiale e Serbisë, që nga ZPS-ja u barazvlerësua me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Sikur të realizohet nisma e kryeministrit shqiptar, mbështetur edhe nga Parlamenti i Shqipërisë, duke mundësuar rrëzimin e Rezolutës së Marty-t kundër UÇK-së, kjo do përbënte fitoren më të madhe ndërkombëtare të Kosovës qysh nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e vulosi pavarësinë e saj.

Tri ditë Speciale – krejt çka ndodhi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore