Shqipëria

Flasin për Albanian Post vëllezërit Balla, tregojnë aktin e radhës në America’s Got Talent


“Më mirë t’i shtrohemi punës se sa të kemi fjalë të tepërta”.

Arnold dhe Artan Balla janë dy vëllezër shqiptarë, tashmë të ndërkombëtarizuar, të cilët kanë “ngritur skenën në këmbë” me performancën e tyre duke lënë “pa fjalë” edhe jurinë e America’s Got Talent.

Të rinjtë, sollën artin cirkut në skenën e madhe të spektaklit amerikan dhe ndërmend të ndalen, nuk kanë, pasi morën një “po” unanime nga juria.

Në një prononcim të dhënë për Albanian Post, Arnold Balla, vëllai i madh, rrëfen çdo moment, që nga ftesa për audicion, deri tek performanca e se çfarë pritet në raundet e tjerë.

“AGT na dërgoi një ftesë për të marrë pjesë në emisionin e tyre. Kjo bisedë është bërë në 2019-ën, por u shty nga pandemia. Ne kemi 13 vite që merremi me artin e cirkut”, thotë ai.

Emocionet e skenës e rrëmbyen edhe dyshen vetë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

“AGT është një ndër skenat botërore që ndiqet nga shumë njerëz dhe aq shumë sa ngrihesh, aq shumë mund të zhytesh në qoftë se një hap shkon në drejtim të gabuar”, tregon Balla.

Për akrobatin, gjatë performancës kishte po ashtu çaste frike.

“Numri jonë ishte i vështirë dhe është numër balancimi, kështu që në çdo moment mund të kishte rënie. Ne kemi vite që e punojmë këtë numër, gjashtë vite, edhe përsëri ndodh që ky numër nuk mund të shkojë siç duhet”.

Ai tregon se pas kësaj, kanë marrë shumë email-e nga kompani të ndryshme për t’u bërë pjesë e cirqeve të ndryshme nëpër Amerikë, por “sigurisht do të zgjedhin ofertën më të mirë”.

I pyetur se çfarë do të ofrojnë për publikun në aktin e radhës, Balla zbulon se do të ketë thika dhe zjarr, ndërsa “çdo gjë tjetër do të jetë surprizë”.

Reality show hit i rrjetit televiziv amerikan “NBC”, America’s Got Talent u jep artistëve një platformë për të shfaqur talentin e tyre dhe për të marrë njohje globale, përveç perspektivës së majme për të fituar 1 milion dollarë.

Ndoshta këtë titull mund ta rrëmbejnë Arnoldi, i cili punon si interior dizajner në SHBA dhe Artani, i cili vijon studimet për drejtësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore