Lajme

Flamuri i Kosovës valëvitet për herë të parë në një mision paqeruajtës


Valëvitja e flamurit të Kosovës nga ushtarët e FSK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë e ka ngritur Flamurin e Republikës së Kosovës në kuadër të misionit paqeruajtës në Kuvajt.

FSK, si anëtar i koalicionit të forcave të përbashkët të kombinuar për herë të parë merr pjesë në një mision paqeruajtës krah ushtrisë Amerikane, më saktësisht krah gardës kombëtare të IOWA-s në Kuvajt.

Në njoftimin e shtabit të përgjithshëm të FSK-së thuhet se “Kosova është e përkushtuar për paqe dhe siguri në mbarë botën. FSK-ja falënderon Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gardën Kombëtare të IOWA-s për dislokimin e përbashkët”.

Me 8 maj të këtij viti FSK-ja kishte bërë zbarkimin e parë ndërkombëtar në misionin e parë paqeruajtëse bashkë me ushtrinë Amerikane në Kuvajt, ku për gjashtë muaj do të shërbej si paqeruajtës në këtë vend.

Misioni i parë jashtë vendit i FSK-së ishte pritur me mesazhe pozitive nga ana e krerëve institucional, duke e konsideruar këtë ditë si ditë historike.

Ndërsa vendimi për dërgimin e kontingjentit të parë të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit ishte marrë më 31 dhjetor 2020, me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvajti dhe SHBA kanë një marrëveshje zyrtare të bashkëpunimit dhe afërsisht 13,500 forca amerikane janë të vendosura në Kuvajt, kryesisht në Kampin Arifjan dhe te baza ajrore Ali Al Salem.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore