Lajme

Flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të vendosur në objektin ku do betohet kryetari i Zubin Potokut – Zeqiri për AP: Aty kanë qenë gjithmonë


Ilustrim

Kryetari i ri i Komunës së Zubin Potokut nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Izmir Zeqiri, i cili me fillim në orën 10:00 do të bëjë betimin në Zyrën për Komunitete në fshatin Çabër të kësaj Komune, në një prononcim të shkurtër për Albanian Post, ka bërë të ditur se ndjehet shumë mirë para betimit dhe se beson se i gjithë procesi do të shkojë në mënyrë normale.

I pyetur për flamujt e vendosura në ndërtesën ku do të betohet si kryetar, Zeqiri tha se “flamuri i Kosovës si dhe ai i Shqipërisë kanë qenë prej kohësh të vendosura aty dhe vazhdojnë të jenë të vendosur edhe sot në ditën e betimit”.

“Shumë mirë po ndjehem, gjithçka është normale është një proces me një përgjegjësi pak më të madhe për mua”, tha shkurt Zeqiri për AP.

Ndryshe disa minuta më vonë Zeqiri në një ceremoni solemne është betuar si kryetar i ri i Zubin Potokut.

“Unë Izmir Zeqiri betohem ose deklaroj solemnisht se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat si kryetar i Komunës së Zubin Potokut me nder dhe besnikëri në mënyrë të paanshme me ndërgjegje dhe me pajtim me Ligjin në mënyrë që t’i sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë”, ka deklaruar Zeqiri.

Pas betimit në një fjalim rasti Zeqiri ka thënë se si kryetar i ri i Zubin Potokut do të jetë në nivel të përgjegjësisë duke ofruar shërbimet komunale qytetarëve, në veçanti komunitetit me shumicë serbe, me përpikmëri.

“Uroj që të jemi bashkë dhe të jemi unikë në punët dhe përgjegjësitë tona që i kemi dhe të jemi sa më të fokusuar që të zbatojmë Ligjin në tërë territorin e Zubin Potokut”.

Zyra për Komunitete në fshatin Çabër

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Kryetarët do të jenë “udhëheqës me ‘u’ të vogël”, tha edhe kryeministri Albin Kurti në fillim të muajit. Pra, udhëheqës të vegjël, por me synime të mëdha për veriun – shtrirjen dhe zgjerimin e sovranitetit institucional të Kosovës karshi ndikimit e ndërhyrjes së jashtme të Serbisë, përkatësisht Listës Serbe.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, po i sheh kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave në veri të Kosovës si udhëheqës “teknikë”, e jo politik, edhe pse zgjedhjet supozohet se janë gjithëherë dhe gjithkund veç politike, e jo “teknike”.

Me këtë mandat “teknik”, kryetarët e rinj rrezikojnë të jenë të pafuqishëm në detyrë dhe prijës pa autoritet, duke ushtruar funksione të zbrazëta. Ata kanë legalitet, por iu është kontestuar legjitimiteti, sepse në katër komunat e banuara me shumicë serbe votuan veç 13 serbë.

Synimet e udhëheqësve me ‘u’ të vogël, siç janë shprehur, janë të vendosin më shumë pushtet institucional të Kosovës, por siç po parashikohet tashmë, vazhdimësia e mandatit të tyre do jetë e lidhur më shumë me atë se çfarë do të ndodhë në Bruksel, sesa me përformancat e tyre në punët komunale.

Aktualisht, në Veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Ceremonia e betimit të kryetarit të ri të Zubin Potokut, Izmir Zeqirit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore