Shqipëria

Flamuri amerikan në Kuvendin Kombëtar të PD-së, por jo “drejtuesit” që njohin SHBA-të


Komisioni i Rithemelimit pritet të zhvillojë gjatë ditës së sotme Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Pamjet e para të siguruara nga Albanian Post dëshmojnë praninë e flamurit të Shteteve të Bashkuara, krah atij të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Partisë Demokratike.

Por, ky qëndrim i organizatorëve bie ndesh me atë të qeverisë amerikane.

Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Karen Donfried, deklaroi se nuk mund të takohet me persona të shpallur non grata – referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në vijim të deklaratës, zyrtarja amerikane sqaroi se u takua me drejtues të opozitës – referuar kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj dhe nënkryetares së PD-së, Jorida Tabaku.

Pra, edhe pse prania e SHBA-ve në kuvend mund të shihet me ngjyrat e saj kombëtare, në kuvendim nuk marrin pjesë drejtuesit e opozitës, të cilët i njeh zyrtarisht qeveria amerikane.

Kuvendi do të nisë pas pak dhe do të marrin pjesë 1 mijë e 800 delegatë të zgjedhur nga degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë.

Parashikohet që votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të nisë në orën 13:00.

Kuvendi do të propozojë ndryshime statutore dhe do të votojë për Këshillin e ri Kombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore