Lajme

Fiton mbështetjen e 45 vendeve hetimi i krimeve të luftës në Ukrainë


Për të hetuar krimet e dyshuara të luftës nga forcat ruse në Ukrainë, mbi 40 vende kanë rënë dakord të bashkojnë forcat.

E gjitha vjen pasi bombardimet e fundit të një zone civile lanë të vrarë të paktën 20 njerëz në qytetin Vinnytsia në Ukrainën qendrore.

Ishte e enjtja e 14 korrikut kur mori formë premtimi për të koordinuar përpjekjet ndërkombëtare për të sjellë forcat ushtarake të Rusisë para drejtësisë.

Të 45 vendet nënshkruan një deklaratë politike gjatë një konference në selinë e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë.

Nënshkruesit përfshinin shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë, Meksikën dhe Australinë.

Në premtimin e grupit është sigurimi i 20 milionë eurove për të ndihmuar ICC-në dhe për të mbështetur zyrën e prokurorit të përgjithshëm në Ukrainë dhe përpjekjet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të hetuar krimet e luftës.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, mbajti një fotografi që tregonte trupin e një fëmije teksa ajo diskutonte sulmin ajror të së enjtes në Vinnytsia.

“Sot, 20 persona të vrarë nga raketat ruse, duke përfshirë tre fëmijë, 52 të plagosur nga raketat ruse, përfshirë fëmijë. Dhe këtë informacion e kemi çdo ditë nga mëngjesi në mbrëmje, nga mbrëmja në mëngjes”, ka thënë ajo.

Me afro 23 mijë krime lufte që po hetohen dhe vende të ndryshme që drejtojnë ekipet hetuese në Ukrainë, provat duhet të jenë të besueshme dhe të organizuara, sipas zyrtarëve.

Wopke Hoekstra, ministri i Jashtëm holandez, ka thënë se qeveritë ishin të galvanizuara nga imazhet e “civilëve të pafajshëm që vriteshin me duart e lidhura pas shpine, gra dhe burra që përdhunoheshin dhe nganjëherë anëtarët e familjes detyroheshin ta shikonin këtë”.

Sipas tij, Holanda do të konsideronte ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për krimet e luftës në Ukrainë, pjesërisht për shkak se as Ukraina dhe as Rusia nuk janë anëtarë në ICC.

Në vitin 2016, Rusia e tërhoqi mbështetjen e saj nga ICC-ja pasi gjykata iu referua aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Ukraina prej Moskës në vitin 2014 si një konflikt të armatosur.

Megjithatë, Kievi e ka pranuar juridiksionin e gjykatës dhe kjo i hapi rrugën ICC-së për të hapur një hetim në Ukrainë në fillim të marsit.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore