Shqipëria

Fiskalizimi, taksistët dhe shitësit e aboneve përjashtohen nga procesi


Ministria e Financave dhe Ekonomisë në Republikën e Shqipërisë ka publikuar në Fletoren Zyrtare rregullat e reja sa i përket procesit të fiskalizimit.

Pra, tatimpaguesit që ofrojnë shërbimin taksi të pajisur me taksimetër dhe ata që shesin bileta ose abone për transport pasagjerësh në sektorin e transportit publik urban brenda qytetit (autobusë) përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar faturë të fiskalizuar.

Ky Udhëzim ka hyrë në fuqi që sot, më 11 janar.

Në Udhëzim shpjegohet se faturat e fiskalizuara nga subjekte, që ushtrojnë aktivitet në fushën e telekomunikacionit, sigurimeve, furnizimit të energjisë elektrike dhe ujit për konsumatorët finalë, si dhe faturat mujore të lidhura me kontrata “afatgjata leasing” dhe fatura të ngjashme me to do të çmohen të fiskalizuara automatikisht dhe pavarësisht statusit të blerësit.

“Me qëllim regjistrimin e faturave në librat e blerjes, të gjithë tatimpaguesit blerës duhet të sigurohen për të përditësuar dhe saktësuar të dhënat e tyre në kontratën mbi të cilën bazohet furnizimi”, përcaktohet nga ministria.

Deri më tani..

Ky proces në thelb të tij ka lëshimin e faturave sipas një sistemi të ri.

Nga ana tjetër – përpos pengesave – në të dhënat publike të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve numri i bizneseve të fiskalizuara do të jetë më pak se 120 mijë subjekte.

Deri në dhjetor nga shifrat e bëra publike u fiskalizuan 60 mijë subjekte, ndërsa me certifikatën elektronike u  pajisën 89 mijë biznese (75% e totalit të tyre).

Shoqatat e bizneseve shpesh – në fillimet e Reformës – kanë kërkuar shtyrje të këtij procesi, pasi nga ana teknike nuk janë gati për zbatim.

Por, mosgjobitja dhe informimi derë më derë duket se kanë ndryshuar edhe qasjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore