Lajme

Firma ruse e sigurisë, “mollë sherri” mes Mali-t dhe Francës


Nga e majta, biznesmeni rus Yevgeny Prigozhin, ministri i Mbrojtjes së Mali-t, Sadio Camara dhe ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly

Ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly, ka paralajmëruar homologun e saj malian, Sadio Camara, kundër punësimit të firmës së sigurisë ruse “Vagner”.

Mali po kontrakton firma private për të luftuar militantët islamikë në Sahel.

Të hënën e 20 shtatorit, Parly u takua me Camara-n gjatë një vizite në Mali.

Zyrtarja franceze ravijëzoi se zgjedhja e firmës ruse “do të sillte izolim”.

Por, një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes të Malit, në kushte anonimiteti, tha për  “Agence France Presse” se Camara e siguroi Parly-n se nuk ishte marrë asnjë vendim.

Parisi zyrtar po planifikon të zvogëlojë numrin e trupave në Sahel deri në fillim të vitit 2022.

Ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly
“Vagner”

Vagner besohet se kontrollohet nga Yevgeny Prigozhin, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.

Franca, javën e kaluar, paralajmëroi kombin afrikano-perëndimor kundër një marrëveshjeje me Vagner-in.

Kjo, pas raporteve të pakonfirmuara se junta është afër punësimit të paramilitarëve të saj për të trajnuar forcat e saj të armatosura dhe për t’i  mbrojtur zyrtarët.

Gjermania gjithashtu ka paralajmëruar se do të rishqyrtojë vendosjen e saj në Mali, nëse qeveria arrin një marrëveshje me Vagner-in.

Junta qeverisëse e Mali-t më 19 shtator hodhi poshtë paralajmërimet, duke thënë se “nuk do të lejojë asnjë shtet të bëjë zgjedhjet e saj”.

Yevgeny Prigozhin

Kombi i varfër dhe pa dalje në det u fut në trazira politike vitin e kaluar, duke kulmuar me një grusht shteti ushtarak në gusht të vitit 2020 kundër presidentit Ibrahim Boubacar Keita.

Nën kërcënimin e sanksioneve, ushtria caktoi një qeveri të përkohshme civile, e ngarkuar me drejtimin e vendit.

Por, koloneli Assimi Goita përmbysi qeverinë në maj dhe, më vonë, u shpall president i përkohshëm.

Goita është zotuar se do të respektojë afatin e shkurtit të vitit 2022 për zgjedhjet civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore