Lajme

“Flirtimi Hillit me Vuçiç-in është poshtëruese për Kosovën, duhet të ishte shkarkuar nga ajo pozitë tre herë deri më tani”


Christopher Hill dhe Aleksandër Vuçiç

Politologu nga Bosnja dhe Hercegovina, Jasmin Mujanoviç, ka thënë se “filtrimi” i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç është poshtëruese për Kosovën.

“Emërimi i Hill-it si ambasador nga ana e administratës Biden ka shkaktuar dëme të mëdha të besueshmërisë ndaj SHBA-ve në rajon. Filtrimi i tij me Vuçiç-in është poshtëruese për Kosovën, për demokratët e vërtet në Serbi dhe për vetë SHBA-në. Ai duhet të ishte shkarkuar nga ajo pozitë tre herë deri më tani”, ka shkruar ai në rrjetin social X.

Ky reagim i Mujanoviç ka ardhur pasi ambasadori Hill në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë RTS, ka potencuar se Serbia është partner më i afërt i NATO-s se sa Kosova, meqë NATO, sipas tij, po bashkëpunon në baza ditore me Ushtrinë e Serbisë.


Ndërkaq Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ambasadorit Hill-it, duke potencuar se Beogradi zyrtar lëre që është larg NATO-s, por as nuk mund të ëndërrojë të jetë ndonjëherë pjesë e Aleancës Veri – Atlantike.

Në vlerësimin e Osmanit kjo deklaratë nuk është e vërtetë meqë Serbia është një shtet i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja.

Osmani ndër të tjera ka potencuar se Serbia është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO.

“Serbia vetë, për shkak se është anti-vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet në NATO”, ka thënë Osmani në një prononcim të shkurtër për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore