Shqipëria

Fillon numërimi i votave, PS kryeson bindshëm në gjithë vendin


Ka nisur zyrtarisht numërimi i kutive të para të votimit për zgjedhjet e 14 majit, ku Partia Socialiste, në bazë të projektimeve të para, duket qartësisht në epërsi në shumicën e bashkive të vendit.

Kjo, pas fitores së trefishtë dërrmuese, të cilën e ka korrur në tre bashkitë ku votimi dhe numërimi, është bërë elektronikisht: Elbasan, Kamëz dhe Vorë.

Në të tre bashkitë, PS-ja ka treguar ndryshore të ndjeshme karshi kundërshtarëve politikë.

Sa i takon pjesës tjetër të bashkive, ku është votuar si tradicionalisht me fletë votimi, bashkia e vogël minoritare e Pustecit ka qenë e para që e ka hapur procesin.

Me gjashtë qendra votimi të numëruara nga tetë në tërësi, socialistët kanë avantazhin e ndjeshëm me 61.99%, karshi 38.01% të koalicionit Bashkë Fitojmë.

Projeksioni është praktikisht i pakthyeshëm tashmë, me Pali Kolefskin, i cili shkon për një mandat tjetër në krye të bashkisë së vogël.

Procesi i numërimit të votave ka nisur edhe në kryeqytet ku rezultatet fillestare nxjerrin në krye kandidatin e Partisë Socialiste, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku aktual regjistron 1 mijë e 305 vota (60.73 për qind) nga 8 Qendrat e Votimit të numëruara deri më tani.

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi ka regjistruar 594 vota ose 27.64 për qind deri më tani.

Kandidatët e tjerë kanë regjistruar respektivisht: Roland Bejko – 111 vota, Arlind Qori – 82 vota, Marko Dajti – 44 vota, Lajla Përnaska – 13 vota.

Në Tepelenë, bastion tradicionalisht i majtë, vetëm dy qendra votimi janë hapur, por rezultati në to është me një ndryshore tejet të lartë.

Partia Socialiste me kandidatin Tërmet Peçi ka marrë 88.89% të votave në këto dy kuti, kur kandidati i Bashkë Fitojmë, Baftjar Imeri dhe ai i Partisë Demokratike, Sokol Guga, gëzojnë vetëm nga 24 dhe 16 vota.

Interesante ndërkohë është gara në Bashkinë Memaliaj, ku kryeson kandidati opozitar i Bashkë Fitojmë, Albert Malaj. Ai me shtatë nga 27 qendra votimi të numëruara, ka marrë 53.71% të votave.

Rivali socialist, Gjolek Guci, është në kuotën e 46.29%.

Në Tropojë, me tre kuti të numëruara, po fiton Rexhe Byberi nga PS me 60.7% të votave, karshi Besnik Dushajt të Bashkë Fitojmë, me 39.3%.

Hasi aktualisht është i të djathtëve, ku Miftar Dauti udhëheq me 56.9% të votave dhe Beqir Mulaj i PS ka marrë 43.1%, nga tre kuti të numëruara.

Në Mirditë po ashtu ka një kryesim të lehtë në dy kutitë e para për kandidatin e Bashkë Fitojmë, Albert Mëlyshi, i cili ka 52.9% të votave.

Ndrec Dedaj i PS ka 47.1%, por gara është e hapur.

Nga një kuti e Matit, Agron Malaj i i PS kryeson me 62.6% kundrejt Skënder Gjucit të BF.

Në Skrapar, Devoll, Kolonjë, Përmet dhe Selenicë, kryesojnë sërish të majtët, me pak kuti të numëruara.

Elbasani, ku u votua elektronikisht, sheh të numëruara 180 nga 224 qendra votimi, duke projektuar fitoren e kandidatit socialist, Gledian Llatja me 55.83% të votave, karshi kandidatit të Bashkë Fitojmë, Luçiano Boçi, i cili ka 44.17% të votave.

Trendi në këtë bashki është i qartë dhe nuk pritet kthim rezultati.

Njëjtë situata edhe në Kamës, ku me 10 kuti të mbetura për t’u numëruar, Rakip Suli e ka të garantuar fitoren me 60.20%, duke lënë pas kandidatin e Bashkë Fitojmë, Arjan Hoxha, me 35.55% dhe atë të Partisë Demokratike, Bibil Bajraktari, me 4.25%.

Vora është e vetmja bashki e vulosur tashmë me 44 nga 44 kuti të numëruara, ku kandidati socialist Blerim Shera, ka marrë 73.52% dhe rivali i Bashkë Fitojmë, Indrit Hoxha, vetëm 26.48%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore