Boterori 2022

FIFA nis hetim ndaj Serbisë për ndeshjen e fundit ndaj Zvicrës


FIFA ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, për ndeshjen që këta të fundit e zhvilluan ndaj Zvicrës në kuadër të xhiros së fundit të grupeve në Kupën e Botës.

Ka qenë një ndeshje shumë e tensionuar, ku pala serbe provokonte vazhdimisht futbollistët shqiptarë të Zvicrës që ishin në fushë: Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën.

“Komisioni Disiplinor i FIFA-s nisi procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të shkeljeve të mundshme të nenit 12 (sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve), 13 (diskriminimi) dhe 16 (rendi dhe siguria në ndeshje) ”, thuhet në një deklaratë të FIFA-s.

Gjithashtu edhe tifozët bënë thirrje të shumta raciste vazhdimisht, derisa edhe trajnerit i Serbisë, Dragan Stojkovic, u kap nga kamerat duke sharë.

Federata e Futbollit ë Kosovës ka nisur një ankesë në FIFA për fyerjet e trajnerit serb drejtuar nënave shqiptare, por edhe për thirrjet nga tifozët e tyre.

Kjo ka bërë që shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA të hap hetimet ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë.

Kjo pasi mund të ketë pasur shkelje të mundshme të tre neneve të kodit disiplinor të FIFA-s gjatë ndeshjes së Kupës së Botës ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës, sipas FIFA-s.

Ndërkohë sipas asaj që ka mësuar e përditshmja zvicerane Blick, nuk do të ketë asnjë procedim disiplinor ndaj Zvicrës apo kapitenit Granit Xhaka, i cili pati një moment të “nxehtë” në fushë ndaj serbëve.

Sa i përket ndeshjes, Zvicra e fitoi atë me shifrat 2:3, kështu duke e eliminuar Serbinë nga Kupa e Botës.

Golin e parë në këtë ndeshje e ka shënuar Xherdan Shaqiri, ndërsa Granit Xhaka u shpall lojtari më i mirë i këtij takimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore