Lajme

Ferma e peshkut që rehabilitoi një liqen të Ruandës


Për vite me radhë, i ati i Eric Ndagijimana, Barthazard, peshkonte në liqenin Gishanda në Ruandën lindore për të mbajtur familjen.

Ai luftoi për të përballuar jetesën duke peshkuar ilegalisht në liqenet e parkut kombëtar Akagera aty pranë.

Kjo, derisa një goditje e qeverisë ndaj gjuetisë pa leje në vitin 2010 e shtyu atë dhe të tjerët në Gishanda. Dhe goditja erdhi pasi shumë shpejtë nuk mbeti asnjë peshk.

Tani Ndagijimana është në një mision për të rikthyer dëmin. Ai menaxhon fermën e peshkut Gishanda, e cila e ka bazën në brigjet e liqenit për të kultivuar peshq tilapia dhe për të rimbushur ujërat.

Në prill, peshqit e rinj të rritur në fermë u lëshuan në ujë. Më shumë se 100 mijë janë lëshuar deri më tani dhe ambicia është që të nxirren 1.5 milionë çdo vit.

“Im atë ishte një peshkatar që peshkonte pa leje për para, me të cilat më paguanin tarifat e shkollës. Doja të vazhdoja trashëgiminë e tij, por në një mënyrë që është e ligjshme, profesionale dhe me të cilën do të përfitonte komunitetin në tërësi”, ka treguar Ndagijimana.

Në ndërtesën kryesore të fermës numërohen 16 rezervuar.

Ferma u hap në tetor me financim dhe mbështetje nga organizata e ruajtjes së parqeve afrikane FoodTechAfrica, një partneritet publik-privat i 21 kompanive dhe universiteteve, si dhe qeverisë holandeze.

Ndagijimana dëshiron që ferma të prodhojë rreth 30 ton tilapia në vit, nga të cilat dhjetë për qind t’u shiten 600 familjeve që jetojnë rreth liqenit me gjysmën e çmimit të tregut.

Po ashtu shpreson që masa jo vetëm që do të pengojë peshkimin e paligjshëm, por do të përmirësojë ushqimin për fshatarët.

“Është emocionuese për mua të punoj si menaxher i fermës së peshkut ku kam lindur. Kur babai im më përgëzon, duke parë sesi komuniteti po ndryshon pozitivisht me ndërhyrjen time, motivohem më tej”, ka thënë ai.

Ai gjithmonë kishte ambicie të kthehej për të punuar. Pas diplomimit në vitin 2016, menaxhoi pesë rezervuarë peshqish pranë kryeqytetit, Kigali, duke marrë trajnime shtesë nga Bordi i Bujqësisë së Ruandës “për t’u përgatitur plotësisht për sfidat e menaxhimit të një ferme peshku”.

Ferma, e cila mundësohet nga panele diellore dhe kërkon një të dhjetën e ujit të kultivimit tradicional të peshkut duke përdorur një sistem riciklimi dhe filtrimi, po ofron gjithashtu vende pune dhe pajisje shtesë.

Ndagijimana do të donte që fshatarët të menaxhonin fermën dhe ata po punojnë me zyrtarët e qarkut për të identifikuar liqene të tjerë të përshtatshëm në zonë që mund të rehabilitohen.

“Me suksesin, shpërblimi i përpjekjeve tona do t’i kthehet komunitetit”, ka thënë ai.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore