Lajme

“Fëmijë pa limit”, fushata e re në Sichuan të Kinës


Çiftet në provincën kineze të Sichuan-it, nuk do të kenë më detyrim të përmbahen në një numër të caktuar fëmijësh, por mund të sjellin në jetë sa të duan.

Është kjo masa e parë që Pekini zyrtar po ndërmerr, pas rënies së popullsisë gjatë vitit 2022. Ngjarje, e cila shënjohet për të parën herë në 60 vitet e fundit në Kinë.

Për dekada të tëra, Republika Popullore ka pasur një politikë strikte të kontrollit prindëror, duke u limituar në një fëmijë për çift.

Kjo gjë më pas, u lehtësua gjatë vitit pandemik 2021, si pasojë e një rënieje të lindshmërisë.

Por, me 2022-shin në recesion të popullatës, Sichuan-it (provincë shumë e madhe kineze), i jepet tashmë mundësia, që çiftet të sjellin në jetë sa fëmijë të duan.

Që prej vitit 1961, nuk shihej një rënie e popullsisë së Kinës, por gjatë vitit 2022, për të parën herë në 61 vite, ajo ra me rreth 850 mijë njerëz, krahasimisht me vitin 2021.

Në tërësi, në 2020-ën, numri i popullatës kineze ishte 1 miliardë e 411 milionë e 800 mijë banorë.

Lindshmëria është një faktor kryesor në këtë të dhenë të dalë së fundmi, ku ajo ka kapur shifra të ulëta rekord në historinë e shtetit kinez, me 6.77 lindje për 1 mijë gra.

Ndikim të padiskutueshëm në uljen e popullsisë ka pasur edhe numri i të vdekurve, i cili është rritur në 7.37 për 1 mijë banorë, kur vitin e shkuar, pavarësisht pandemisë COVID në pikun e saj, ishte ndalur në 7.18.

Është hera e parë kjo, kur numri i vdekjeve kalon atë të lindjeve në Kinë, sa i përket dhjetëvjeçarëve të fundit.

Vetë Qeveria komuniste kineze e pati paralajmëruar një krizë të tillë demografike. Por, sërish, nuk mendohej se ajo mund të arrinte deri aty, sa të kishte një recesion real të popullatës.

E gjitha, vjen po ashtu në çastin kur India mund të bëhet vendi me numrin më të lartë të banorë në botë, për shkak të shtimit të madh të lindshmërisë atje dhe mosvendosjes së kufizimeve për numër fëmijësh.

Një bllok i mëparshëm për kontrollin familjar një Kinë, e kishte limituar në lindjen e vetëm një fëmije ritmin e planifikimit familjar, me argumentimin se popullsia ishte duke u rritur në mënyrë eksponenciale dhe do të ishte e vështirë t’i ofrohej një jetë e mirë brezit të ri.

Më pas, duke parë rrjedhën e pakësimit të lindjeve, u vendos që numri i lejuar i fëmijëve të sjellë në jetë për familje të jetë dy e mandej, edhe tre në zona të caktuara.

Për të imponuar kontrollin familjar, në familjet me dy fëmijë, Kina kishte ndërmarrë edhe masa të ashpra, siç ishin mosregjistrimi i foshnjave.

Numri tërësor i njerëzve të paregjistruar në Kinë, përllogaritet në mbi 15 milionë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore