Lajme

Fëmija i fundit në fshatin e rrënuar ukrainas


Në një fashat pranë Kharkiv-it, në verilindje të Ukrainës, ka mbetur ende një fëmijë. I vetmi.

Tetëvjeçari Tymofiy Seidov e kalon pjesën më të madhe të kohës duke vizatuar në një tavolinë të vogël, të ndriçuar dobët nga një dritë vocërrake.

Atje, në cep të bodrumit, nga ku gjithçka duket terr, ai e ndan ambientin edhe me 23 të tjerë. Përfshirë nënën, tezen dhe gjyshen.

Në vizatimet e tij, syri të ndeshet jo rrallë me tanket.

Sot, në errësirë, ai po vijëzon disa përbindësha të ngjashëm me Dalek, të cilin e kujton nga një film vizatimor që ka parë në YouTube para luftës.

Nuk harron t’ju japë jetë fletave edhe me skena më të hareshme, nganjëherë të shtëpive nën diell dhe ylberit në qiell.

Por bota, jashtë rrëmujës nëntokësore me dyshekë, karrige, kavanoza gjigantë me turshi, jorganë të pluhurosur, qese plastike plot rroba dhe ikona të ekspozuara mbi kuti të përmbysura, ka qenë jashtë kufijve të tij për muaj të tërë.

Pranë tij, gjendet një Spiderman, disa pako letrash, një lojë tavoline Mike the Knight dhe një koleksion stilolapsash e lapsash.

Ama Tymofiy nuk ka parë një fëmijë tjetër që nga 30 prilli, kur pjesa më e madhe e bodrumit u evakuua.

Prej 24 shkurtit, ky djalë i qetë, së bashku me familjen, ka jetuar poshtë këtyre rrënojave të një kopshti dykatësh dhe një qendre mjekësore në fshatin Kutuzivka, 12 milje në lindje të Kharkiv-it.

Rreth fshatit, luftimet kanë qenë të ashpra.

Më afër Rusisë nga çdo qytet tjetër i madh ukrainas, Kharkiv-i ka qenë objektivi kyç i Vladimir Putin-it. Ky territor ka qenë rruga për të kaluar.

Para luftës, në Kutuzivka jetonin 1 mijë e 500 banorë. Sot, më pak se 50.

Rusët e morën fshatin më 18 mars, përpara se ta humbnin atë nga forcat ukrainase rreth dy javë më parë.

Jelekët mbrojtës të braktisur, helmetat dhe pjatat gjysmë të ngrëna me polenta të shpërndara nëpër selitë ruse në qendrën komunitare të fshatit, sugjerojnë se ka qenë një largim i nxituar.

Por nëse rusët mund të largohen menjëherë pas shumë javësh pushtimi, njerëzit e rraskapitur dhe të përlotur në bodrumin e Tymofiy-t, e dinë se mund të kthehen po aq shpejt.

Ose të paktën, mundet artileria.

Pjesa më e madhe e dëmeve në fshatin e tyre dhe në shtëpitë e tyre është bërë që kur erdhën ushtarët ukrainas, kur rusët nisën të godisnin çdo gjë që pengonte.

Pikërisht atë mëngjes, tetë ushtarë ukrainas u vranë aty pranë.

Teksa duket se ka pak më shumë për të goditur, përveç ndërtesave të shkatërruara, zhurma e bombardimeve mbetet konstante.

Shpesh, shumë e fortë dhe e afërt.

Nëna e Tymofiy-t, 32-vjeçarja Rita ka treguar mes zhurmës se nuk mendon kurrë për të nesërmen.

“Mendoj vetëm si të mbijetojë”, ka thënë.

Ajo, një piktore, nuk e ka vënë penelin në letër që nga 24 shkurti.

“Tymofiy është i qetë sot, por gjatë luftimeve të rënda ai bëhej nevrastenik”, ka treguar e ëma e tij.

Bodrumi ka katër dhoma… pa dyer.

Në secilën prej tyre shfaqet një kalendar me ditët e muajit të kaluar, të shkarravitura. Se për ta, është me rëndësi të mbahet mend se sa kohë kanë aty.

Dhe se, qëndrimi i tyre në bodrum, nuk do të zgjasë përgjithmonë.

Kalendari i vogël sipër vendit ku rri Timofiy, mbërthyer në mur mes skicave të dy flamujve ukrainas, është vizatuar nga një djalë 15-vjeçar.

Ai ëndërronte se ukrainasit do ta çlironin fshatin më 27 prill.

Kur kjo profeci u bë realitet, djali u largua me prindërit e tij, ashtu si shumica e 150 njerëzve, përfshirë 40 fëmijë, që kishin jetuar në bodrum.

Timofiy dhe familja e tij nuk kishin ku të shkonin.

59-vjeçarja Megjith Alla Lisnenko është kuzhinierja.

Me një fener të vendosur në kokë me llastik, ajo ndihmon për të përgatitur vaktet.

Bashkëshorti i saj, Alexander, është i preferuari mes tyre.

Ai, para luftës, i ka ndërtuar një sobë me dru dikujt dhe tri javë pasi rusët nisën pushtimin, e mori atë në bodrumin e ngrirë dhe e furnizonte vazhdimisht me dru.

Gjithashtu ka siguruar katër dritat LED të lidhura me një bateri të vjetër kamioni që ofrojnë njëfarë ndriçimi në shtëpinë nëntokësore.

E me analistët perëndimorë, që sugjerojnë se beteja për Kharkiv-in ka marrë fund, të gjithë shpresojnë se ardhja e forcave ukrainase do të jetë fillimi i fundit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore