Art&dizajn

“FemArt” me anë të flamurit shpreh revoltën kundër mentalitetit patriarkal


“Dy shqiponja krenare janë vajza dhe gra krenare çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj të vitit” – Kjo është motoja me të cilën, artistja, Ermirë Murati, e cila është pjesë e festivalit të sivjetmë “FemArt”, e ka prezantuar muralin e saj më të ri që iu shtua Prishtinës, të martën e 5 tetorit.

Një shqiponjë, me dy krerë duke u puthur me njëri-tjetrin është forma më e re transformuese e muralit nga Murati, ndërsa këtë e ka bërë të ditur vetë faqja e festivalit “FemArt” në Facebook.

“Me kalimin e viteve shqiponja është paraqitur dhe përdorur duke përfshirë maskulinitetin, jo vetëm në mënyrë konceptuale”.

“Por, edhe në mënyrë strukturore – shqiponja me muskuj dhe elementë të tjerë tendenciozë dhe patriarkalë në qasje, duke mohuar kështu feminitetin e saj që del kryesisht nga emri”, shkruan “FemArt”.

Tutje në postim thuhet se, roli i gruas në ndërtimin e kombit shqiptar nuk është vlerësuar mjaftueshëm apo thënë më mirë, është mohuar ndër vite.

“Duke çmitizuar mentalitetin seksist, ne nxjerrim në pah gjenezën matriarkale, fuqinë dhe elegancën e saj, anën femërore dhe rolin e gruas në ndërtimin e kombit shqiptar – të mohuar ndër vite”, thuhet tutje në përshkrimin e këtij aktiviteti.

Mes tjerash, “FemArt”, thotë se ky mural është një lloj revolte kundër mentalitetit patriarkal të lidhur me flamurin që len anash vlerat kombëtare.

“Po, shqiponja me dy koka dhe krenare ka gjoks dhe vaginë, thonjë dhe qerpikë dhe është krenare për gjininë, seksualitetin dhe orientimin seksual. Kjo ndërhyrje vjen si një revoltë kundër mentalitetit patriarkal të lidhur me flamurin, jo vlerat kombëtare që përfaqëson”.

“Ne refuzojmë që ngjyra e kuqe simbolizon vlerën tonë në atë që ngrihet dhe tundet nga patriarkalja, burra që dhunojnë, shtypin dhe vrasin vajza dhe gra”, thuhet tutje në postimin e publikuar.

Por, shqiponjat e pikturuara me ngjyrë të kaltër e portokalli, duket të kenë kuptim.

“Le të mbetet ngjyra e flamurit tonë ngjyrë portokalli si një revoltë që kundërshton dhunën kundër nesh. Rreth flamurit të bashkuar nga shumë qëllime dhe shumë dëshira”.

“Ne qëndrojmë krenarë, të dashuruar me njëri -tjetrin, si dy shqiponja krenare në flamur”, përfundon postimi.

Ndërkaq, kombinime dhe variacione të ndryshme kishte pësuar simboli kombëtar ndër vite dhe Albanian Post, ju sjell disa nga shembujt bashkangjitur me vite bazuar në të dhënat e faqes së njohur për historinë e botës “Oz Out Back“.

Stema e Skënderbeut, -1444.

 

Qeveria e Shqipërisë – 1912.

 

Republika e Shqipërisë – 1992.

 

Mbretëria Shqiptare – 1939.

 

Qeveria e Përkohshme Autonome e Shqipërisë – 1943.

 

Republika Popullore e Shqipërisë – 1946.

 

Republika e Shqipërisë – 1992.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore