Lajme

Felten: Ballkani i Hapur s’është transparent – Procesi i Berlinit po jep rezultate


Peter Felten

Për ambasadorin e Gjermanisë në Malin e Zi, Peter Felten, nisma rajonale “Ballkani i Hapur”, aktualisht nuk mund të perceptohet lehtësisht dhe nuk dihen ende rezultatet konkrete të kësaj inciative.

“Ne nuk jemi të përfshirë në të, nuk është shumë transparente dhe nuk e dimë se cilat janë rezultatet konkrete të asaj nisme”, ka thënë ai, transmeton mediumi malazez ‘Pobjeda’.

Ndryshe nga Ballkani i Hapur, sipas diplomatit gjerman, Procesi i Berlinit po jep rezultate, sidomas pas tri marrëveshjeve të lëvizshmërisë, të nënshkruara nga ana e liderëve të qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Berlin.

“Samiti i fundit i 3 nëntorit tregoi se po jep rezultate të prekshme. Bëhet fjalë për marrëveshje të nënshkruara në kuadër të mobilitetit në Ballkanin Perëndimor, deklarata të përbashkëta për tranzicionin e gjelbër dhe energjinë”.

Ai vlerësoi se Mali i Zi duhet të bëjë një analizë të “Ballkanit të Hapur” në bazë të fakteve, duke i peshuar kostot dhe përfitimet në mënyrë të arsyeshme, pa emocione, nëse duhet të afrohet me një nismë e tillë.

“Dhe kur të merret një vendim i tillë, politikanët malazezë duhet të shpjegojnë pse është marrë një vendim i tillë”.

Ndërkaq, duke folur për ndryshimet në Ligjin për Presidentin, të miratuara në kuvendin malazez, Felten theksoi se përshtypja e parë është se deputetët po përpiqen t’i ndryshojnë disa dispozita të Kushtetutës.

“Nëse është kështu, sigurisht që nuk lejohet. Mendojmë se është shumë mirë që është kërkuar mendimi i Komisionit të Venecias sepse është një organ i pavarur shumë i kualifikuar që do të japë mendimin e tij”.

“Unë nuk jam jurist në fushën e së drejtës kushtetuese dhe as nuk kam të drejtë të marr vendime nëse diçka është kushtetuese apo jo, por gjithashtu vërej këtu se këtu ka përgjegjësi që deputetët të marrin vendimet e tyre në në përputhje me Kushtetutën”, shtoi ai. 

Për rikujtim, Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit që ngjanin si pengesa pa cak.

Nga atëherë, në kuadër të këtij procesi, u mbajtën samite në Berlin (2014), Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018) dhe Poznan (2019).

Por, shenjat e plogështisë së procesit, prodhuan në vitin 2018 një tjetër iniciativë, atë të Open Balkan që para se të pagëzohej zyrtarisht njihej si Mini-Schengeni Ballkanik.

Në samitin e fundit me 2 shtator të këtij viti në Beograd, veç tri themelueseve, në cilësi të pjesëmarrësit vëzhgues të pranishëm ishin edhe kryeministri malazez, Dritan Abazoviç dhe shefi i këshillit të ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Të dy kishin shprehur dëshirën që në një të ardhme të afërt t’i bashkohen nismës.

Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka refuzuar pjesëmarrjen në çfarëdo cilësie – deri më tani.

Formula e Re: Procesi i Berlinit e Open Balkan si dy nisma paralele për një qëllim final – pajtim, integrim, njohje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore