Muzikë

“Fantazma e Operas” largohet nga Broadway pas 35 vitesh


Një simbol zhduket nga Broadway.

Pas 13 mijë e 981 shfaqjeve në 35 vjet, “Fantazma e Operas”, muzikali më i vjetër në lagjen e famshme teatrore të New York-ut, uli përfundimisht perden të dielën, viktimë e audiencës shumë të ulët pas pandemisë.

Pika kryesore e shfaqjes, llambadari i rëndë dhe madhështor i Operës ra për herë të fundit në Teatrin Majestic, mjedisi historik pranë Times Square të veprës teatrale dhe muzikore të krijuar nga Andrew Lloyd Webber, marrë nga romani francez i Gaston Leroux-it.

Në prani të krijuesit të tij, ekipi i shfaqjes mori një ovacion të gjatë nga publiku më këmbë, duke duartrokitur furishëm, ndërsa llambadari i famshëm bëri paraqitjen e fundit në sallën e mbushur plot 1 mijë e 600 vende, vuri në dukje AFP.

Andrew Lloyd Webber, i cili kompozoi pjesë për kurorëzimin e Charles III në maj, ia kushtoi shfaqjen djalit të tij që vdiq nga kanceri në mars.

“Faleminderit të gjithëve, faleminderit New York që jeni një shtëpi e shkëlqyer për ne”.

Ishte një shfaqje “e jashtëzakonshme” finale, sipas Daniel Wright, 56 vjeç, një spektator që kishte ndjekur disa shfaqje më parë.

“Ka pasur kaq shumë momente kur kam qarë, kam ngërthyer, ishte thjesht një shfaqje e dizajnuar mirë”, tha ai për AFP. “Ka arsye pse kjo shfaqje ka 35 vjet. Është një klasik i përjetshëm, i cili ka prekur kaq shumë njerëz”.

Në total, që nga premiera e saj në New York në vitin 1988, historia e Fantazmës që jeton i fshehur në bodrumet e Operës së Parisit dhe bie në dashuri me balerinën Christine duhet të ketë sjellë 1.4 miliardë dollarë të ardhura (1.27 miliardë euro), duke tërhequr afro 20 milionë spektatorë, dhe punësuar rreth 6 mijë e 500 njerëz, duke përfshirë 450 aktorë.

Jo më pak se 16 aktorë kanë luajtur rolin e Fantazmës në Broadway gjatë 35 viteve të fundit, vlerëson produksioni.

Dy vjet pas krijimit në Londër, ku vepra vazhdon të interpretohet, Fantazma e Operës ishte kthyer në një blockbuster në Broadway me orkestrën dhe kostumet e saj të periudhës.

Ajo kishte triumfuar në Tony Awards, ekuivalenti i Oscars për Broadway, duke fituar shtatë çmime në vitin 1988.

Por “bota ka ndryshuar”, nënvizoi në New York Times në shtator 2022 producenti britanik Cameron Mackintosh.

Ai shpjegoi se pas pandemisë COVID-19, e cila mbylli Broadway-in për 18 muaj, shfaqja, shumë e varur nga turistët ndërkombëtarë, ishte bërë shumë e shtrenjtë “pak më pak se 950 mijë dollarë neto” në javë për faturat e saj.

Mes muzikantëve, aktorëve dhe teknikëve, duheshin rreth 125 persona për ta drejtuar atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore