Aplikacione

Facebook-u ngrin faqen e presidentit të Venezuelës


Faqja e Facebook-ut e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, është ngrirë nga platforma për shkak të shkeljes së politikave kundër përhapjes së dezinformimeve lidhur me COVID-19.

Agjencia e lajmeve, Reuters, e cila mbart ekskluzivitetin e lajmit, zbulon se faqja e presidentit është ngrirë për shkak se ai ka promovuar një ilaç, të cilin pretendon pa ekzistencën e provave se mund të shërojë sëmundjen.

Në muajin janar, Maduro e ka përshkruar ilaçin e quajtur Carvativir si “mrekulli” që neutralizon coronavirus-in pa efekte anësore. Një pretendim ky që sipas mjekëve nuk mbështetet në shkencë.

Platforma Facebook ka hequr nga faqja një video të presidentit Maduro në të cilën ai promovon mjekimin. Kjo pasi shkel një politikë kundër pretendimeve të rreme “se diçka mund të garantojë parandalimin e marrjes së COVID-19 ose mund të garantojë shërimin nga COVID-19”.

“Ne ndjekim udhëzimet nga OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë), e cila thotë se aktualisht nuk ka ilaçe për t’u shëruar nga virusi”, ka thënë zëdhënësi i Facebook-ut për Reuters.

Ai ka vazhduar duke thënë se “për shkak të shkeljeve të përsëritura të rregullave tona, ne gjithashtu po ngrijmë faqen për 30 ditë, gjatë të cilës ajo vetëm mund të lexohet”.

Lidhur me videon, Maduro ka thënë në të se Caevativir-i mund të përdoret në mënyrë parandaluese dhe terapeutike kundër coronavirus-it.

Për këtë lëvizje të Facebook-ut janë njoftuar administratorët e faqes mbi shkeljen e politika. Ndërsa llogaria e Maduro-s në Instagram, platforma e ndarjes së fotove në pronësi të Facebook-ut, nuk do të preket.

Nga ana tjetër, ministria e informacionit në Venezuelë nuk i është përgjigjur në mënyrë të menjëhershme një kërkese për koment mbi çështjen.

Maduro ka deklaruar më parë se është trajtuar padrejtësisht nga kompanitë e mediave sociale. Facebook-u dhe Twitter-i janë platformat që ai përdor më shpesh duke transmetuar herë pas here edhe fjalime përmes opsionit Facebook Live.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore