Teknologji

Facebook-u me marrëveshje për energjinë e rinovueshme


Media sociale, Facebook, ka nënshkruar një marrëveshje me një firmë lokale në Indi për të blerë energji të rinovueshme nga projekti i energjisë së erës,

Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji për kompaninë në Azinë Jugore.

Kompania ka thënë gjithashtu se operacionet globale të Facebook-ut që prej vitit 2020 janë mbështetur tërësisht nga energjia e rinovueshme duke arritur zero emetime.

Lidhur me projektin e ri, i cili është i mbështetur në 32 megavat energji të erës, ai është i vendosur në shtetin jugor të Karnataka-s dhe është pjesë e një portofoli më të madh të projekteve të erës dhe diellit.

Facebook-u po punon së bashku me CleanMax-in, i cili është i vendosur në Mumbai, për të furnizuar rrjetin me energji elektrike të Indisë.

Për sa i përket CleanMax-it, ai do të zotërojë dhe operojë projektet, ndërsa Facebook-u do të blejë energjinë jashtë rrjetit duke përdorur certifikatat mjedisore të atributeve ose do të përdorë lejet e emetimit të karbonit.

Gjatë një deklarate të të dy kompanive është pranuar se afro gjysma e kapaciteteve të projektit është porositur kohët e fundit dhe tanimë po gjeneron energji.

Urvi Parekh, drejtuesja e projekteve të energjisë së rinovueshme të Facebook-ut, është shprehur se kompania zakonisht nuk zotëron termocentralet. Përkundrazi, kompania nënshkruan marrëveshje “afatgjata” të blerjes së energjisë elektrike me kompaninë e energjisë së rinovueshme.

“Kjo mundëson që projekti të kërkojë financimin që do t’i duhej”, ka thënë ajo.

Drejtuesja ka shtuar gjithashtu se Facebook-u ka partneritete të ngjashme edhe në Singapore me disa nga ofruesit e energjisë si Sunseap Group, Terrenus Energy dhe Sembcorp Industries, në disa nga projektet që mund të prodhojnë deri në 160 megavat energji diellore.

Parekh ka shtuar se energjia elektrike e gjeneruar nga këto impiante do të furnizojë qendrën e parë aziatike të të dhënave, çka Facebook-u priste të ishte në operacionet e vitit të ardhshëm.

Lidhur me qendrat e të dhënave, të cilat drejtojnë kompanitë e teknologjisë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka deklaruar gjatë vitit të kaluar se Facebook-u përdor deri në 1% të energjisë totale në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore