Lajme

Europol korr sukses në operacionin masiv në Dark Web, arreston 288 shitës ilegalë


Një sukses i jashtëzakonshëm është arritur nga policia ndërkombëtare, ku organi i lartë Europol, ka çuar në pranga 288 persona dhe ka sekuestruar asete në vlerën e 50 milionë eurove, të cilat ishin në formën e kartëmonedhave apo kriptovalutave.

E gjitha, falë një operacioni masiv në Dark Web (pjesë e internetit e aksesueshme vetëm përmes motorëve të posaçëm të kërkimit), ku kryhej shitje drogash dhe armësh.

Në tërësi, janë sekuestruar 850 kilogramë droga të llojeve të ndryshme dhe 117 armë zjarri.

Në terma më konkretë, sa i takon lëndëve narkotike, bëhet fjalë për 258 kilogramë amfetaminë, 43 kilogramë kokainë, po aq MDMA dhe mbi 10 kilogramë LSD e pilula të shumta ekzstazie.

Ky operacion, i koduar SpecTor, përbëhej nga një sërë veprimesh të veçanta plotësuese në Austri, Francë, Gjermani, Holandë, Poloni, Brazil, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Zvicër.

Paketat e inteligjencës si bazë për hetime

Europoli ka përpiluar paketa të inteligjencës bazuar në gjetjen e provave të ofruara nga autoritetet gjermane, të cilat kapën me sukses infrastrukturën kriminale të tregut në dhjetor 2021.

Këto paketa objektive, të krijuara nga kryqëzimi dhe analizimi i të dhënave dhe provave të mbledhura, shërbyen si bazë për qindra të hetimeve kombëtare.

Shitësit e arrestuar si rezultat i aksionit të policisë kundër Monopoly Market ishin aktivë edhe në tregje të tjera të paligjshme, duke penguar më tej tregtinë e drogës dhe mallrave të paligjshme në rrjetin e errët.

Si rezultat, 288 shitës dhe blerës që u përfshinë në dhjetëra mijëra shitje të mallrave të paligjshme u arrestuan në të gjithë Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe Brazilin.

Një numër i këtyre të dyshuarve u konsideruan si objektiva me vlerë të lartë nga Europol.

Arrestimet u kryen në Shtetet e Bashkuara (153), Mbretërinë e Bashkuar (55), Gjermani (52), Holandë (10), Austri (9), Francë (5), Zvicër (2), Poloni (1) dhe Brazili (1).

Një numër hetimesh për të identifikuar individë të tjerë që qëndrojnë pas llogarive të ueb-it të errët janë ende në vazhdim.

Ndërsa autoritetet e zbatimit të ligjit fituan akses në listat e gjera të blerësve të shitësve, mijëra klientë në të gjithë globin tani janë gjithashtu në rrezik të ndjekjes penale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore