Euro 2024

Euro 2024: Yjet e Zvicrës fundosin Hungarinë e përgjumur


Zvicra e ka nisur me fitore aventurën e saj në Kampionatin Evropian, Euro 2024, teksa ka mundur 3-1 Hungarinë pasditen e kësaj të shtune.

Hungaria dhe Zvicra u përballën në takimin e dytë të Grupit A, ku të premten në mbrëmje Gjermania shkatërroi Skocinë me shifrat 5-1.

Hungarezët e drejtuar nga italiani, Marco Rossi duket se nuk ishin në ditën e tyre më të mirë dhe bënë një paraqitje zhgënjyese në debutimin e tyre në Euro 2024.

Në krahun tjetër, kombëtarja e drejtuar nga Murat Yakin ka arritur maksimumin nga kjo ndeshje.

Trajneri Yakin tha në krye të ditës së sotme se donte që skuadra e tij të ishte efikase me shanset e veta dhe të detyronte Hungarinë të bënte gabime. Ata e bënë këtë me një efekt të shkëlqyer.

Kwadwo Duah, një emër jo shumë i njohur dhe i ftuar nga Zvicra vetëm për ndeshjen e tij të dytë, në moshën 27-vjeçare, hapi llogaritë e takimit në minutën e 12.

Pati 22 pasime të Zvicrës për të shënuar gol në fund nga Duah, kjo është sekuenca e tretë më e gjatë e pasimeve që çon në një gol në Euro (që nga viti 1980).

Duah (11:55) regjistroi golin më të shpejtë të shënuar nga Zvicra në një turne madhor që nga Haris Seferovic (05:39 kundër Turqisë; Euro 2020).

Goli i dytë i zviceranëve do të vinte në sekondat e para të kohës shtesë (2 minuta) me një realizim gati magjik nga Michel Aebischer, ylli që zëvendëson Xherdan Shaqirin në formacionin helvet.

Aebischer u bë lojtari i parë në historinë e Kampionatit Evropian që shënon dhe asiston në një ndeshje për Zvicrën.

Pjesa e parë e takimit do të mbyllej me avantazhin 2-0 të zviceranëve. Në pjesën e dytë skuadrat shënuan nga një gol, për të arritur në një fitore përfundimtare 3-1 për Zvicrën.

Barnabas Varga ngushtoi diferencat në fushë me golin e realizuar në minutën e 66 pas një krosimi perfekt nga kapiteni hungarez, Dominik Szoboszlai.

Megjithatë, ato minuta të mira për hungarezët përfunduan shpejtë dhe zviceranët morën sërish kontrollin e lojës.

Për t’i vënë kapaun një paraqitjeje jo shumë dinjitoze të rivalëve dhe për të vulosur fitoren e skuadrës së tij mendoi Breel Embolo në minutën e 90+3.

Notat e lojtarëve (sipas Sofascore)

Renditja në Grupin A

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, është shpallur “Lojtari i Ndeshjes”

Paneli i Vëzhguesve Teknik të UEFA-s vlerësoi “performancën e tij të plotë në mesfushë”, duke thënë: “Ai ishte i shkëlqyer në zotërim të topit, si në lojën e ndërtuar ashtu edhe në ofrimin e pasimeve depërtuese. Ai shfaqi një etikë të madhe pune dhe tregoi lidership të shkëlqyer, duke ofruar aftësi të mëdha organizative”.

Statistikat e Granit Xhakës për Zvicrën kundër Hungarisë:

◉ Më së shumti prekje (99)

◉ Shumica e pasimeve të përfunduara (79/88)

◉ Më së shumti pasime në të tretën e fundit (23)

◉ Shumica e rasteve të krijuara (4)

◉ Shumica e ndërhyrjeve (3)

◎ 100% duele ajrore të fituara (2/2)

◎ 86% duele të fituara (6/7)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore