Lajme

Escobari në Prishtinë e Lajçaku në Beograd – njëri në kërkim të partnerëve e tjetri në kërkim të përgjigjeve


Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak

Dy top-diplomatët perëndimorë që mbajnë mbi shpinë barrën kryesore në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të qëndrojnë gjatë javës në Prishtinë dhe Beograd në kuadër të përpjekjeve perëndimore për t’i dhënë fund krizës aktuale rreth çështjes dinarit dhe rrjedhës së tensionuar të marrëdhënieve midis dy fqinjëve armiqësorë.

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gabriel Escobal, gjatë javës do të qëndrojë në Prishtinë për të diskutuar mbi rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të nxjerret nga përdorimi dinari serb, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore është euro, njoftoi të dielën Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).

“Ai do të mbajë takime edhe në lidhje me ndikimin e rregullores së re të BQK-së për pagesat me para të gatshme dhe për të bërë thirrje për ndërmarrjen e hapave për plotësimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës pa pengesa”, thuhet në njoftimin e DASH-it, ndërsa bëhet e ditur që përveç zyrtarëve qeveritarë, ai do të takojë edhe shoqërinë civile dhe komunitetin serb.

Vizita e Escobarit vjen në një kohë kur marrëdhëniet midis autoriteteve kosovare dhe administratës amerikane janë pothuajse në gradën e fundit për shkak të çështjes së dinarit serb – një çështje që sërish e ktheu Kosovën në qendër të kritikave amerikane. Madje, zyrtarë amerikanë paralajmëruan pasoja pas vendimit për ndalimin e dinarin serb brenda territorit.

“Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht”, deklaroi Escobar në një intervistë dhënë më 23 shkurt të këtij viti, duke kërkuar që zbatimi i vendimit të BQK-së të shtyhet për një moment tjetër.

Në këtë sfond edhe Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, gjatë javës pritet ta ketë në agjendën e maratonës diplomatike këtë çështje. Ai pritet të qëndroj në Beograd gjatë kësaj jave, njoftoi të shtunën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por duke mos zbuluar agjendën e plotë të diplomatit sllovak.

Lajçaku në fillim të marsit qëndroi për vizitë edhe në Prishtinë, ku takoi zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare. Vizita e Lajçakut në Prishtinë erdhi pas refuzimit të Qeverisë së Kosovës që të marrë pjesë në takimin e thirrur nga BE-ja për dinarin. Kosovën në këtë takim e përfaqësoi guvernatori i BQK-së.

Kosova refuzoi të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideron që çështja e rregullores së BQK-së mbi operacionet me para të gatshme nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Prandaj edhe Lajçaku specifikoi pas vizitës në Prishtinë që shumë pyetje politike rreth dinarit mbeten pa përgjigje politike.

“Unë planifikoj që në ditët në vijim të organizoj një takim në nivel të kryenegociatorëve, andaj kjo është arsyeja kryesore e vizitës në Prishtinë”, deklaroi emisari sllovak pas takimit që zhvilloi me shefin e ekipit negociator të palës kosovare, ku ndër të tjera u diskutua edhe për “hapat e mëtejshëm” drejt zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese midis Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo do të arrihet një kompromis në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore