Lajme

Escobar: Takimi Kurti-Vuçiç për “menaxhimin e krizës” s’do të bëhet këtë javë


Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, duke qenë i vetëdijshëm se energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi, paralajmëroi “takim për menaxhimin e krizave” – çfarëdo që do të thotë kjo – mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, gjatë kësaj javë në Bruksel.

Megjithatë, ky takim që për synim ka uljen e tensioneve mes dy vendeve, nuk pritet të ndodhë këtë javë, ka thënë Emisari Special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërsa ka shtuar se ende shpresojtë për një takim të nivelit të lartë ntë Bruksel sa më shpejt.

“Është tepër herët për të vendosur nëse takimi do të bëhet këtë javë. Kam përshtypjen që nuk do të bëhet, por duhet të vazhdojmë të shpresojmë për një takim të nivelit të lartë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar diplomati amerikan.

Thirrjes së kryediplomatit evropian nuk i është përgjigjur pozitivisht vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç – të paktën jo deklarativisht dhe jo deri më tani – nuk ka treguar gatishmëri për t’u takuar me kreun e ekzekutivit kosovar.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-eskalim, por këto ende nuk janë përmbushur nga asnjëra palë.

Propozimi për Asociacionin, Escobar: Kurti s’ka çka kërkon versione tjera, veç modeleve evropiane për pakicat

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, s’ka çka kërkon më tepër versione për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ngase tashmë i ka 16 modele evropiane për këtë pajisje.

Kur është pyetur për deklaratën e kryeministrit Kurti se është i gatshëm të paraqesë një draft-projekt për këtë mekanizëm për serbët e Kosovës, por vetëm atëherë kur Kosova dhe Serbia të pajtohen fillimisht për parimet, diplomati amerikan tha se “nuk ka përse të presë për këtë dhe nuk duhet të presë për këtë”.

“Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një model evropian. Pra, qëndrimi ynë, qëndrimi amerikan, ka qenë gjithnjë se modeli i asociacionit duhet të jetë i tillë që të ofrojë shërbime komunale për një pakicë kombëtare të gjuhës serbe. Kaq – shërbime komunale.”, ka deklaruar Escobar.

Në mesin e 16 modeleve dhe formave të ndryshme të vetëqeverisjes për pakicat kombëtare që aktualisht aplikohen në territorin e Bashkimit Evropian, zgjidhja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe kërkohet në kombinimin e elementeve të ndryshme që aktualisht aplikohen në vendet evropiane.

“Në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij. Pra, nuk po kërkojmë një mjet matematikor midis dy qëndrimeve. Kërkojmë një version evropian. Pra, atij nuk i duhet asgjë më shumë se kjo”, ka thënë diplomati amerikan.

Kosovës po i kërkohet që të fillojë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjese Bazë për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e përshkruajnë këtë si “detyrë urgjente” për Kosovën dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atnantike të Kosovës. Tash, nga kryeministri Kurti po pritet hartimi i një draft-statuti për këtë pajisje për serbët e Kosovës.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore