Lajme

Erërat e forta në Prishtinë, zjarrfikësit dhe emergjenca në gjendje gatishmërie


Drejtori i drejtorisë për siguri dhe emergjencë në komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, ka thënë për Kosovapress se emergjenca dhe zjarrfikësit janë në gjendje gatishmërie për çdo rast që mund të ndodhë në qytet për shkak të erërave të forta.

“Mbrëmë deri në orët e vona të mesnatës kemi pasur disa intervenime nëpër qytet, sot kemi bërë edhe njëherë izolimin e ndërtesës së komunës së re në “Arbëri”, për arsye se janë duke vazhduar punime në çatinë që është rrëzuar në muajin e kaluar, në mënyrë që të evitojmë çdo rrezik si për qytetarët dhe për të mirat materiale”, tha Fushtica.

Ai ka potencuar se të shtunën ekipet e emergjencës kanë qenë në teren, pasi që qytetarët kanë lajmëruar për disa dëme në disa lagje të Prishtinës.

Ndryshe më 18 janar, nga erërat e forta është shembur kulmi i ndërtesës së komunës së re, ku një 23 vjeçare është lënduar rëndë si pasojë e saj.

Ajo është trajtuar në mjekimin intensiv, e cila ka qenë në gjendje kome, por për fat të mirë, gjendja e saj ka filluar të përmirësohet.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me rastin e ndodhur në lagjen “Arbëria”, ku ka rënë kulmi i ndërtesës së komunës së Prishtinës.

Nisjen e hetimeve për media e pati konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, e cila ka thënë se është iniciuar vepër penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore