Sport

Ëndrra që zgjati vetëm një javë


Sevilla u përfshi në luftën për titull mes katër skuadrave në Spanjë javën e kaluar.

Ata ishin vetëm tre pikë prapa kreut dhe një prapa gjigantëve të Real-it dhe Barcelona-s. Me pesë javë nga fundi, u duk se andaluzët mund të surprizonin në Spanjë.

Por, një javë më pas, skuadra e Lopetegui-t u zgjua nga ëndrra e titullit.

Një gol në minutën e 90-të nga Inaki Williams i Athletic Bilbao-s ishte i mjaftueshëm që të shkatërronte gjithçka.

Në ndeshjen e fundit të javës së 34-të, Sevilla priti Athletic Bilbao-n në “Sanchez Pizjuan”.

Pak ditë para ndeshjes vendimtare me Real Madrid-in, Lopetegui doli në fushë me formacionin e tij më të fortë.

18 ishin goditjet nga andaluzët, por zero ishin golat. Tetë ishin goditjet nga Athletic, një ishte i mjaftueshëm për fitoren.

Një goditje e bukur në këndin e djathtë të portës nga Inaki Williams, i dhuroi tre pikë Bilbao-s, duke e larguar tërësisht nga gara për titull Sevilla-n.

Kur kanë mbetur edhe katër javë deri në fund, diferenca prej gjashtë pikësh me kreun duket e pamundur për t’u arritur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore