Sport

Emrat e mundshëm për të marrë drejtimin e Kosovës


Federata e Futbollit të Kosovës tashmë ka shkarkuar nga detyra trajnerin e ekipit kombëtar, Bernard Challandes.

Challandes kishte kontratë deri në dhjetor të vitit të ardhshëm, por humbja e Kosovës ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e kualifikimeve të Kupës së Botës, i ka kushtuar trajneri zviceran me shkarkim nga detyra.

Drejtuesit e FFK-së tashmë janë në kërkim të trajnerit të ri që do ta zëvendësojë 70-vjeçarin, mirëpo ende nuk është dhënë ndonjë emër i mundur.

Por, sipas asaj që raportojnë mediat, tre janë emrat që mund ta marrin drejtimin e ekipit të Kosovës në ditët e ardhshme.

Më i përfoluri që mund të marrë këtë pozitë, është ish-trajneri i Bayern Munich, Felix Magath.

Ekipi i fundit që ka drejtuar Magath, ishte Shandong Luneng nga Kina në vitin 2017, derisa në karrierën e tij ai ka drejtuar klube të njohura si : Bayern Munich, Wolfsburg, Eintraht Frankfurt, Hamburg, etj.

Në drejtimin e këtyre klubeve, 68-vjeçari gjerman ka arritur të fitojë dy tituj kampion dhe dy Kupa të Gjermanisë me Bayern Munich, si dhe një titull kampion me Wolfsburg-un.

Emri tjetër i përfolur, është braziliani Roberto Carlos, i cili gjithashtu është i papunë që nga viti 2015.

Roberto Carlos në karrierën e shkurtë si trajner, ka drejtuar dy klube nga Turqia, Sivasspor dhe Akhisar Belediyespor, ndërsa për një periudhë prej gjashtë muajsh, ishte edhe trajner i klubit indian, Delhi Dynamos.

Emër tjetër i përfolur nga mediat në vend, është edhe ai i ish-trajnerit të Shqipërisë, Gianni De Biasi.

De Biasi aktualisht është trajner i kombëtares së Azerbajxhanit, me të cilët nuk po kalon periudhë aspak të mirë, ku në 18 ndeshje zyrtare, ka vetëm dy fitore, krahas 11 humbjeve dhe pesë barazimeve.

65-vjeçarit i skadon kontrata në muajin e ardhshëm, andaj pas kësaj ecurie të dobët, vështirë se do të vazhdojnë bashkëpunimin.

Italiani drejtoi kombëtaren e Shqipërisë për gati gjashtë vite, ku suksesi më i madh i tij ishte pjesëmarrja e kuqezinjëve për herë të parë në një Kampionat Evropian.

Ndërkohë, përveç këtyre, ai ka drejtuar edhe ekipe të tjera italiane si Udinese, Torino, Brescia etj., ndërsa në Spanjë drejtoi edhe Deportivo Alaves dhe Levante.

Pra, mbetet të shihet në ditën në vazhdim se kush do të marrë drejtimin e ekipit të Kosovës për ta drejtuar në ndeshjen e fundit kualifikuese të Kupës së Botës, ku Dardanët do të përballen në udhëtim me Greqinë më 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore