Lajme

Emisari Peach pas takimit me Kurtin, i gatshëm të ndihmojë në procesin e dialogut


Sir Stuart Peach dhe Albin Kurti ne takimin e perbashket ne Kryeministri

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, pas takimit të Albin Kurtit me Emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, është bërë e ditur se britaniku i ka thënë Kurtit se është “i gatshëm dhe i vullnetshëm për të ndihmuar në procesin e dialogut”.

Pas takimit Peach – Kurti në kryeministrinë e Kosovës nuk ka pasur konferencë të përbashkët për media.

Emisari i caktuar rishtazi për Ballkanin, para se të takohej me Kurtin pati takim edhe presidenten Vjosa Osmani në kuadër të vizitës së tij dy-ditore në Kosovë.

Për takimin me kryeministrin e Kosovës komunikatë në llogarinë e vet në Twitter ka lëshuar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

 

“Sir Stuart po punon në promovimin e stabilitetit dhe prosperiteti në rajon. Prioritetet e tij janë që të punojë me partnerët tanë në mbështetje të lehtësimit të dialogut dhe inkurajimin e gjetjeve të zgjidhjeve për çështje si krimet e luftës, personat e pagjetur dhe promovimin e zhvillimit ekonomik”, pohohet në cicërimë.

Në anën tjetër, në komunikatën e kryeministrisë, thuhet se temë e takimit ishte edhe “siguria rajonale”.

“Kryeministri Kurti falënderoi emisarin për ndihmën dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë”, thotë komunikata.

“E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin”, theksoi Kryeministri.

Peach në Kosovë vjen nga Beogradi ku ishte për takime të natyrës së njëjtë dhe u takua me krerët e shtetit atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore