Lajme

EMA: BE-ja të përdorë të gjitha vaksinat


“Vendet e Bashkimit Evropian duhet të përdorin të gjitha opsionet e vaksinave, të cilat janë në dispozicion të unionit, për të luftuar virusin Covid-19”.

Ky është rekomandimi i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) për vendet e BE-së, duke nënvizuar rëndësinë e përdorimit të tyre sipas nevojave mbi kategoritë e caktuara, duke alternuar dhe përshtatur dhënien e dozave.

“Jemi ende në pandemi dhe është shumë e rëndësishme ta luftojmë atë”, theksoi shefi i strategjisë së vaksinimit në EMA, Marco Cavaleri.

Ky rekomandim vjen pas disa pretendimeve të javës së shkuar, se EMA kishte rekomanduar tërheqjen e vaksinës AstraZeneca. Mirëpo, nga agjencia evropiane e mohuan menjëherë atë lajm.

Ndërkohë, se cila vaksinë do të jetë parësore në përdorim, do të mbetet në dorën e vetë vendeve. Ky lajm gjithsesi, nuk i hap rrugë përdorimit të vaksinave kineze apo ruse në Evropë. Kjo, sepse ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi certifikimin e tyre.

Por, nëse ndodh, Shqipëria do të përftoj shumë, pasi i ka në përdorim dy vaksinat lindore.

Mbi të ardhmen e vaksinimit, do të shihet se kush nga vaksinat do t’i mbijetojë kohës. Gjasat janë që ato, të cilat përdorin ARN Mesazhere, të jenë dominuese. Kjo, për shkak të teknologjisë së re të implementuar tek to.

EMA ka autorizuar deri më tani përdorimin e vaksinave Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe J&J.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore