Lajme

Ekspertizat kanë folur ndryshe, por Kurti e Haxhiu “e vranë” Astrit Deharin që ta kujtojnë bashkë me Adem Demaçin


Foto: Albanian Post

Dy ekspertiza ndërkombëtare nuk kanë arritur të konstatojnë se aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharin, e ka vrarë dikush në burg në vitin 2016 dhe po të dyja konstatojnë se aludimi për vetëvrasje është më i qëndrueshëm.

Por, kryeministri Albin Kurti e vartësja e tij Albulena Haxhiu e kujtuan atë këtë të hënë si një aktivist që u vra për bindjet e tij politike.

Në mungesë të përgjegjësisë institucionale e për nevoja politike Kurti e Haxhiu pa dhënë asnjë shpjegim, se kush, si dhe kur e vrau Deharin, thanë se ai “u vra në burg”, teksa kujtuan Deharin dhe Adem Demaçin si një nga figurat më të shquara të politikës shqiptare në shekullin 20, vetëm se kanë ditëlindjen në të njëjtën ditë.

“Por fati i tyre ishte i atillë që Adem Demaçi i kaloi 28 vite në burg, kurse Astrit Dehari ishte ende vetëm 26 vjeçar kur u mbyt në burg”, shkroi Kurti në Facebook.

Madje, Kurti mundua ta krahasojë ish-aktivistin e LVV-së, me Demaçin edhe pse Dehari vdiq në burg, meqë ishte arrestuar si një nga të dyshuarit për aksionin e hedhjes së një granate në objektin e Kuvendit.

Megjithatë, ai e pranoi se në shkrimin e tij se Demaçi e Dehari s’kanë gjë tjetër të përbashkët pos datës së njëjtë të lindjes, meqë Demaçi ishte distancuar nga LVV-ja qysh nga pavarësi e Kosovës, pasi besonte se ishte gabim qasja e kësaj partie që kundërshtonte shpalljen e pavarësisë.

Albin Kurti bën krahasim të çuditshëm në mes të Adem Demaçit e Astrit Deharit

Në një linjë me Kurtin është edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sa i përket rastit të Deharit edhe pse gjatë mandatit të saj janë zhdukur mostrat e ish-aktivistit të LVV-së nga laboratori i toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe është kapluar nga zjarri ky institucion.

“Astrit Dehari, një aktivist shembullor dhe një student i shkëlqyeshëm, u vra në burg, për shkak të bindjeve të tij, në përpjekje të mbrojtjes së Republikës, atë për të cilën shumë breza kishin vuajtur burgjeve dhe kishin paguar me jetën e tyre, jetësimin e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Për Haxhiun, Adem Demaçi dhe Astrit Dehari kanë qenë dhe mbeten përherë inspirues për të gjithë ata që e duan lirinë, barazinë dhe jetën e popullit të vet.

Ndryshe, Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Nga i pari te i fundit – çfarë saktësisht thanë raportet e ekspertizës për vdekjen e Astrit Deharit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore