Lajme

Albin Kurti bën krahasim të çuditshëm në mes të Adem Demaçit e Astrit Deharit


Albin Kurti

Adem Demaçi është një nga figurat më të shquara të politikës shqiptare në shekullin 20, derisa Astrit Dehari është një ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, që vdiq në burg pasi ishte arrestuar si një nga të dyshuarit për aksionin e hedhjes së një granate në objektin e Kuvendit të Kosovës, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur t’i kujtojë të dy në një status në Facebook vetëm se kanë ditëlindjen në të njëjtën ditë.

Për dy vëllezërit e vetëvrarë: Arbnor dhe Astrit Dehari

Kurti në fakt edhe vetë e pranon në shkrimin e tij se Demaçi e Dehari s’kanë gjë tjetër të përbashkët pos datës së njëjtë të lindjes, por megjithatë vazhdon me krahasimin.

Adem Demaçi ishte distancuar nga Lëvizja Vetëvendosje qysh nga pavarësi e Kosovës, meqë besonte se ishte gabim qasja e kësaj partie që kundërshtonte shpalljen e pavarësisë, derisa më vonë Vetëvendosje kishte refuzuar të jepte votat për ta zgjedhur Demaçin president konsensual.

Ata kishin thënë se nuk votojnë për Demaçin, meqë ai po bëhet president për t’i shërbyer ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, rivalit politik të Kurtit.

Përkundër kësaj, Vetëvendosje është munduar ta mbajë Demaçin afër pas vdekjes, duke provuar të ndërlidhin angazhimin e tij politik me partinë e tyre dhe duke dashur të lënë një nënkuptim sikur Kurti është zgjatimi i Demaçit në politikë.

“Ata e kanë ditëlindjen në të njëjtën datë, më 26 shkurt”, shkruan Kurti, duke mos e sqaruar përse përbën rëndësi për krahasim ky fakt.

Megjithatë, Kurti vazhdon me përshkime të tipit “nëse ende do të ishin mes nesh, sot Baca Adem do të bëhej 88 vjeç, kurse Astriti do t’i mbushte 34 vite jetë”.

Ai më pas shkruan se “por fati i tyre ishte i atillë që Adem Demaçi i kaloi 28 vite në burg, kurse Astrit Dehari ishte ende vetëm 26 vjeçar kur u mbyt në burg”, por prapë pa shpjeguar logjikën e krahasimit, meqë Demaçi qëndroi në burg për shkak të bindjeve politike dhe kërkesës për të drejta të shqiptarëve, derisa Dehari ishte në burg për shkak se dyshohej për pjesëmarrje në një aksion të tipit terrorist – sulmit të institucioneve të shtetit me granatahedhës.

Nuk është hera e parë që Kurti luan me personalitetet dhe persona të ndryshme varësisht nevojave të momentit.

Rasti më eklatant është rehabilitimi i kriminelit, Oliver Ivanoviç, themeluesi i grupit terrorist kriminal serb “Rojat e Urës”, të cilin vetë e dënonte një herë Kurti, por më pas e pati shpallur hero të shtetit multientik.

Në këto lëvizjet e skajshme kryeministri i Kosovës nuk jep asnjëherë shpjegime për ndryshimet që i pëson rrugës.

Ai kurrë nuk e ka bërë të ditur se përse për të një person që ishte kriminel njëherë u bë hero pak vite më vonë.

Rast tjetër i një transformimi të tillë është qëndrim i Kurtit për Veton Surroin.

Derisa më parë e portretizonte si jugosllav që “e sheh Titon në ëndërr”, tashmë ai është këshilltari politik i Kurtit.

Veç tij, edhe vajza e Surroit shërben në kabinetin e Kurtit, po ashtu si këshilltare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore