Lajme

Eksperti amerikan: Kurti dhe Vuçiç të dalin me një vizion të përbashkët se si të zbatojnë “vetëmenaxhimin”


Charles Kupchan

Zgjedhjet lokale që u zhvilluan sëfundi në pjesën veriore të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga shumica e serbëve, ishin një hap në drejtimin e gabuar, tha Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara.

Kupchan, në një intervistë për “Telegrafi”, tha gjithashtu se zgjedhjet për katër krytarët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore, janë shenjë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, duhet të bëjnë përparim në një vizion të përbashkët se si të zbatojnë “vetëmenaxhimin” për pakicën serbe.

“Beogradi pa dyshim ka luajtur një rol të rëndësishëm në inkurajimin e komunitetit serb në veri të Kosovës për t’i rezistuar integrimit në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Rezultati është institucione paralele dhe një pakicë e konsiderueshme serbe brenda Kosovës që nuk ruajnë ndjenjën e ‘përkatësisë’”, tha ai.

Kryeministri Kurti dhe Aleksandër Vuçiç në Ohër janë pajtuar për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve së dakorëdusar më 27 shkurt në Bruksel, pas rreth 12 orë diskutimesh, që ishte përcjellur me pauza e me rikthime në tavolinën e diskutimit.

Një nga pikat më problematike për Kosovën ka qenë neni shtatë i dokumentit të Bashkimit Evropian, i cili përcakton aranzhimet specifike, për të siguruar një “nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit” për komunitetin serb në Kosovë.

Pala kosovare dhe ajo serbe dhanë interpretime të ndryshme për nenin shtatë të Planit franko-gjerman, për të cilin shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, theksoi se duhet të nis menjëherë të zbatohet, siç janë dakordësuar palët negociuese.

Kryeministri Kurti tha se neni shtatë flet për “vetëmenaxhim” të komunitetit serb dhe që nuk del përtej kornizës ligjore e kushtetuese të Kosovës, por për presidentin serb, kjo nënkupton ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Vuçiç duket se është duke e zvarritur sa i përket zbatimit – gjoja derisa palët të kuptojnë më qartë se si të zbatojnë ‘vetëmenaxhimin për komunitetin serb në Kosovë’. Vuçiç mund të jetë gjithashtu duke kërkuar të forcojë pozicionin e tij negociues…”, shtoi Kupchan.

Sa i përket njohjes reciproke për të cilën insiston pala kosovare, ai tha se Bashkimi Evropian do të qëndrojë e vendosur dhe do të kërkojë që Serbia ta njohë Kosovën si parakusht për anëtarësimin në familjen evropiane, pra njohja si objektivi përfundimtar.

“Mendoj se BE-ja do të qëndrojë e vendosur dhe do të kërkojë që Serbia ta njohë Kosovën si parakusht për anëtarësimin në BE. Kjo është politika e duhur – dhe është mënyra më e mirë e BE-së për të ushtruar ndikim mbi Beogradin”, tha Kupchan.

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median sllovake “Dennik”, tha se në krye të agjendës së takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut në Bruksel më 2 maj, do të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Lajçak theksoi se mbi tryezën negociuese ku do të ulen e të bisedojnë kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, do të jetë Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për të “përcaktuar statusin ligjor të serbëve të Kosovës” dhe “se çfarë kompetencash do të ketë”.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, vlerësohet të jetë një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Sëkëndejmi, mbetet për t’u parë nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë vetëm një rojtare/përgjegjëse për komunikimin ndërmjet komunave dhe qeverisë qendrore (siç është kuptimi i zakonshëm i një asociacioni komunash) apo, një autoritet që përfaqëson të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore